SARANDË

Shërbimet e Komisariatit Sarandë kanë parandaluar një rast të tentativës për zjarrvënie të qëllimshme duke arrestuar një 32-vjeçar, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.

I arrestuari Luan Obzova, i njohur ndryshe me nofkën “Ujku” (në foto) ka tentuar të djegë me benzinë lokalin e biznesmenit Spiro Iljadhi, i cili mbeti i plagosur një ditë më parë dhe ndodhet në spital në kryeqytet. Bëhet fjalë për vendin ku ndodhi përplasja me armë ditën e djeshme, në lokalin më të madh të Sarandës. Burime për “BalkanWeb” thanë se dyshohet se Obzova ishte paguar për të djegur lokalin.

Sarande Luan Obzova
Sarande Luan Obzova

Lokali ku ndodhi plagosja e dy personave, biznesmenit Iljadhi dhe një turisti kalimtar shqiptaro-amerikan është hapur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, teksa tentativa për ta djegur ka ndodhur rreth mesnatës.

Ja çfarë deklaron policia
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Forcat e posaçme “Shqiponjat” dhe FNSH, në vijim të kontrollit të imtësishëm të territorit, patrullimit në të gjitha lagjet e qytetit dhe rrugicat pa ndriçim, në lagjen Nr. 1, nga patrulla e Qarkullimit Rrugor është konstatuar një shtetas i cili po kryente lëvizje të dyshimta me një motomjet dhe më pas ka ndaluar pranë një lokali në këtë lagje dhe ka tentuar ta djegë me një shishe me lëndë djegëse. Në momentin që ky shtetas ka vënë re patrullën ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” mbetur në tentativë, i shtetasit Luan Obzova, 32 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: