Partia Demokratike denoncoi sot se Bashkia e Sarandës ka lënë mëshirë të fatit fermerët duke mos ristauruar urën që lidh tokat e tyre bujqësore.

NJOFTIM PËR SHTYP

· Bashkia e Sarandës lë në mëshirë të fatit fermerët duke mos ristauruar urën që lidh tokat e tyre bujqësore e cila u shkurton kohën dhe shpenzimet e naftës. Fermerët akuzojnë se Bashkia i përdor vetëm për të marrë votat dhe jo për t’u zgjidhur hallet dhe problemet.

Fermerët e fshatrave Metoq dhe Gjashtë në Sarandë kanë protestuar pasi prej 7 muajsh ura e cila lidh fushat e tyre të mbjella me misër, është amortizuar duke u bërë e pakalueshme nga automjetet e punës.

Kjo bën që fermerët të udhëtojnë rreth 50 km rrugë më shumë çdo ditë duke shtuar kostot në një kohë kur çmimi i karburantit është bërë i papërballueshëm.

Fermerët kërkojnë që Bashkia të investojë sa më parë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Tek kjo urë kalojmë me frikë të madhe ne këmbësorët. Ne kemi edhe mjete pune. Kemi tre muaj që nuk funksionon dhe ne kemi problem të kalojmë edhe në këmbë. Shteti të vijë këtu dhe të vërë dorë. Nga Bashkia kanë ardhur, kanë bërë foto dhe nuk kanë vënë elemente por ka vetëm dhera. Kaq është bërë nga Bashkia, asnjë lloj veprimi tjetër. Të gjithë ne që jemi mbledhur këtu nuk jemi mbledhur për parti, por të hyjmë e të dalim si njerëz sepse edhe ujin që e mbushim e cojmë në krah nga njëra anë e urës në tjetrën”, tha një prej fermerëve.

“Kjo urë shkurton distancën dhe kostot tona ulen”, tha një tjetër fermer. “Tani bëhen kilometra të tëra në një kohë që litri i naftës është 260L. Na rritet kosto trefish vetëm nga mungesa e urës. Bashkia vjen vetëm të marrë votat dhe nuk interesohen më”, tha një tjetër fermer.

Protestës së banorëve iu bashkua edhe Kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Sarandë Manjola Nikollo. Ajo u shpreh se nuk ka ende asnjë informacion nga Bashkia e Sarandës nëse ekziston një projekt ndërtimi për urën, në cilën fazë ndodhet ajo dhe me çfarë fondi do të investohet.

“Pas dy muajsh vjen fushata e korrjes dhe transportit të misrit duke rritur kështu edhe më tepër koston e shpenzimeve. Ndërkohë që nga autoritetet përgjegjëse për urën akoma nuk është tenderuar faza e parë e projektimit të urës, dhe më pas zhvillimi i projektit dhe realizimi i urës. Shumë mirë që bashkia e ka konsideruar rast emergjent dhe ka kërkuar ndihmën e ushtrisë, por nga vëzhgimi në terren kjo urë nuk mund të ndërtohet thjesht për emergjencë, ajo kërkon një investim për rikonstruksion të këmbëve të saj për të cilin Bashkia duhet t’i kishte marrë tashmë masat për gjetjen e këtij fondi. I kërkojmë Bashkisë të bëjë transparencë dhe mos të mbajë kot me shpresa këta fermerë. Çfarë presin autoritetet, të vijë vjeshta, dimri, sezoni i shirave dhe prurjeve të mëdha që ta shkatërrojë tërësisht urën duke e rritur kështu edhe më tepër investimin? Mjaft i varfëruat shqiptaret!”, tha ajo.

Zonja Nikollo vuri në dukje gjithashtu se fermerët e Sarandës nuk kanë marrë asnjë subvencion për naftën edhe pse kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin.

ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: