Gafa e portierit Sven Ulreich i ka kushtuar rëndë Bayern-it i cili u eliminua nga “Champions League” me rezultatin 3-4 në favor të Realit.

29-vjeçari që ka marrë vendin e Neuer të dëmtuar humbi përqendrimin në minutën e 46-t pas një topi të thyer pas nga Tolisso, duke i dhuruar golin e dytë Karim Benzema. Nuk mund të thuhet me siguri se ai episod vendosi kualifikimin, por është e sigurtë që ka ndikuar shumë dhe për këtë arsye Ulreich i ka kërkuar falje tifozëve.

Portieri i cili mbeti i shtanguar në ‘Bernabeu’ pas përfundimit të lojës ka përdorur rrjetet sociale për të shkruar: “Fjalët nuk mund ta përshkruajnë zhgënjimin që kam për eliminimin nga Champions League. Donim me çdo kusht të shkonim në finale dhe bëmë më të mirën tonë por më pas ndodhi gabimi i panevojshëm.

“Nuk mund ta shpjegoj dot. Më vjen keq…për shokët e ekipit dhe tifozët.”

Javi Martinez, James dhe Boateng u përgjigjën me fjalë inkurajuese për portierin gjerman.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb