Kreu i PD, Lulzim Basha ka kaluar disa orë në praninë e ish- kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke diskutuar për disa çështje.

Basha i premtoi Kurtit se sot në opozitë dhe nesër në drejtim të Shqipërisë, do i ofrojë Kosovës çdo ndihmë dhe do ta mbështesë çdo vendim të saj.

Më tej ai theksoi se duhet intensifikim i bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë, jo ide në letër, por projekte dhe nisma konkrete.

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale.

U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë.

Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.

E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj.

Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb