Reshjet e dendura kanë sjellë edhe përkeqësim të situatës së përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës. Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur dhe pushtetit lokal për të përballuar situatën.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se trupat dhe mjetet e batalionit të I të këmbësorisë së Vaut të Dejës (b1k) evakuuan 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u transportuan për t’u strehuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.
Në njësinë administrative Dajç, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.
Në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale (BMR) dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë të b1k.

BMR ka angazhuar në bashkinë e Shkodrës 7 mjete lundruese, të cilat mundësojnë lëvizjen e banorëve dhe janë në gatishmëri për çdo evakuim të mundshëm.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni po ndjek situatën në zonat e përmbytura në bashkinë e Shkodrës.

Në gjithë qarkun e Shkodrës janë 5030 ha sipërfaqe totale e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në njësitë Ana e Malit dhe Dajç. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me pushtetin vendor po monitoron situatën dhe po koordinon punën për përballimin sa më të mirë të gjendjes së shkaktuar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb