TIRANË

Kjo e hënë shënoi ditën e parë të shkollës për 29 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë, por kjo ditë e veçantë nuk kaloi pa incidente.

Pas një denoncimi të bërë në adresë të “News 24”, grupi i xhirimit shkoi në Shkollën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë, ku disa prindër kanë pasur një përplasje verbale me drejtoreshën e shkollës, aq sa është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.

Kjo, pasi një ditë para se të niste procesi arsimor, prindërit e fëmijëve që këtë vit nisin klasën e 5-të, janë njoftuar se ata do e zhvillojnë mësimin pasdite e jo paradite siç ka ndodhur zakonisht. Prindërit thonë se ky vendim i ka prekur jo pak si nga koha që do të shpenzojnë për fëmijët, por edhe paratë, pasi disa prej tyre kanë paguar kurse të programuara për t’u zhvilluar pasdite.

“Vitet e kaluara ka qenë që klasat e 3-a dhe të 4-a bënin mësim në mëngjes, ndërsa tani klasat e 5-a do e bëjnë mësimin pasdite. Nuk e dimë pse është marrë ky vendim, por ne kemi paguar kurse, gati 600 mijë lekë të vjetra vetëm me anglishten”, tha një nga prindërit.

Drejtoresha e shkollës, kishte kërkuar një përfaqësi të prindërve për të diskutuar lidhur me këtë problematikë, por pas daljes nga ky takim, prindërit konfirmuan se nuk u ndërmor asnjë vendim. Kjo solli dhe një debat verbal mes vetë prindërve.

Prindërit pohuan se drejtoresha u ka komunikuar se ky vendim është marrë pasi nuk ka klasa, sepse disa ambiente janë kthyer në laboratorë informatike, që këtë vit do të zhvillohet si lëndë edhe te klasat e para. Prindërit, thanë se do të ndjekin të gjitha hapat ligjorë derisa kjo problematikë të zgjidhet.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb