DURRES- Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike. Të rinjtë, pjesë e një grupi të trafikut të drogës, përdornin një mënyrë të veçantë për shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit, duke përdorur biçikletat për transport.

Gjatë operacionit të koduar “Çiklisti” të zhvilluar në qytetin e Durrësit, policia ka arrestuar shtetastit: Florian Likmeta, 41 vjeç; Detar Rama, 24 vjeç; dhe Erti Bllaca 31 vjeç; të tre banues në Durrës. Ata u arrestuan pas tre muaj hetimesh.

Policia e Durrësit ka zbardhur edhe mekanizmin e mënyrës sesi shpërndahej lënda narkotike:.

“Të arrestuarit, dozat e lëndëve narkotike, Kokainën dhe Cannabisin e fshihnin në një pjesë të biçikletës (pjesën e pasme) dhe më pas i shpërndanin në qytet.

Mjeti që përdornin ishte biçikleta ose motor me qëllim që të mos identifikoheshin që po kryenin veprimtari të jashtëligjshme”.

Sakaq, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve: S.Zh. 23 vjeç, banues në Durrës; E.M. 22 vjeç, banues në Durrës; dhe G.R. 20 vjeç, banues në Tiranë.

“Më datë 17.12.2016, në lagjen Nr.13, Durrës, gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasve të mësipërm, përfshirë edhe tre muajt të hetimit, u janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, lëndë narkotike, të ndara në doza për t’u shitur, konkretisht: rreth 100 gr lënde narkotike e dyshuar e llojit Kokainë; rreth 500 gr lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva; një thikë; një kaçavidë, brenda së cilës vendosnin lëndën narkotike; një biçikletë; lekë dhe aparatë telefoni celular”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Mësohet se Florian Likmeta ka qenë i arrestuar në vitin 2014, po për shpërndarje kokaine, dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë në lirim me kusht.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb