TIRANE – Nën çatinë e gjykatës të blinduar nga forcat speciale dhe në praninë e përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe gjermane, trupa e prokurorëve të Krimeve të Rënda shpalli pretencën për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Fjala e fundit e organit të akuzës ishin 64 vitet e burgimit që u kërkuan për pesë të pandehurit. Pozitën më të rënduar përballë ligjit, e kishte Emiljano Shullazi, i cilësuar si drejtues i grupit kriminal.

Mbështetësi i tij kryesor Gilmando Dani rrezikon të qëndrojë 15 vite prapa hekurave. Për Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën u kërkuan 11 vite burgim secili, ndërsa për Blerim Shullazin, 10 të tilla, pasi akuzohen se vepronin si pjesë e grupit për llogari të Emiljano Shullazit.

Në materialin prej 66 faqesh, prokurorët kishin renditur argumentat dhe provat mbi bazën e të cilave kërkuan edhe fajësinë e të akuzuarve.

Sipas tyre, Shullazi dhe anëtarët e grupit të drejtuar prej tij,  përmes shantazhit, kërcënimit fizik e psikologjik, si dhe kanosjes me armë, i kanë zhvatur Ylvi Beqjas shumën prej 500 mijë eurosh. Paratë  – thanë prokurorët – Ylvi Beqja ua ka dorëzuar cash dhe përmes çeqeve bankare.

Mendimi kriminal për t’i marrë paratë Beqjas  – theksohej ne dosje – i ka lindur Shullazit në momentin kur biznesmeni, që mban statusin e të penduarit të drejtësisë – i kërkoi ndihmë për të regjistruar në hipoketë ish-hotel Vollgën. Për këtë sherbim, ai i kishte premtuar Shullazit,  20 % të aksioneve, por kur më vonë e ka shitur pronën tek një biznesmen, i pandehuri i ka kërkuar që t’i jepte paratë dhe më shumë aksione nga prona.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Banda Shullazi akuzohet se ka kërcënuar për dhënie pasurie edhe biznesmenët Jani Zaka e Adriatik Kërcuku, por kur ka hasur rezistencën e tyre, ua ka shkatërruar pronat me eksploziv.

Prokuroria theksoi se biznesmeni Zaka,  i ndjerë i kërcënuar për jetën është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen.

Për kërcënimin e dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, për ta detyruar këtë të fundit që të tërhiqej nga gara për rektor, prokuroria iu referuar dëshmive të dhëna nga zyrtarë të lartë të shtetit dhe policisë shqiptare, përmes të cilave pretendon se provohet fajësia e Shullazit dhe grupit të tij.

Kundër pretencës dolën avokatët të cilët e cilësuan atë një tregim të sajuar dhe plot gafa të bëra nga trupa e prokurorëve, të cilët i ironizuan se nuk njohin as të pandehurit.

Më herët, avokatët akuzuan drejtuesen e re të Prokurorisë, Donika Prela,  të cilës me ironi i drejtoheshin si “drejtoresha e ndërmarrjes”. Sipas tyre në shkelje të ligjit Prela është vetëcaktruar si prokurore e cështjes, e në mbështetje ka marrë edhe njerëzit e saj të besuar, për të lexuar pretencën e diktuar politikisht.

Mbrojtësit hodhën akuza ndaj prokurorëve se kanë fshehur cd me përgjime, duke futur në dosje vetëm ato pjesë që iu interesojnë. Për këtë arsye, kërkuan riçjeljen e shqyrtimit gjyqësor, por u rrëzuan nga gjykata. Pretendimet e tyre pritet të dëgjohen në seancën e radhës me datë 9 tetor.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb