Mbahet sot protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Kjo e fundit iu ka bërë thirrje shqiptarëve prej ditësh për të dalë sot, më 7 korrik, në shesh kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, në tubimin që do të zhvillohet para Kryeministrisë në orën 19:00.

Selia blu ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.

Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit. Për këtë arsye gjatë paradites së djeshme u zhvendos edhe instalacionin “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë, vlen të theksohet se gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama ka shumë gjasa që të mos jetë në Tiranë, pasi ai më 2 korrik nga tuneli Skarficës paralajmëroi se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës. Ditën e sotme, protestës pritet që t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: