Personat që shihni në fotot janë dy të rinjtë, që mbetën të vrarë dje në oborrin e qendrës shëndetësore në qytetin e Patosit, si dhe autori i krimit. Gazetari Ervis Kuçi raporton për ‘BalkanWeb’ se Manol Rapaj nga Kuqari u vra me 7 plumba, ndërsa Elis Kapajt nga Kashishti iu gjetën në trup 5 plumba.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Martin Skëndaj, gardian i burgut të Fierit, vrau me armë Manol Rapajn dhe Elis Kapajn, brenda qendrës shëndetësore të qytetit, pas debatit me ta. Siç u raportua edhe dje Rapaj ishte i dashuri i motrës së Skëndajt, por që ky i fundit nuk e kishte pranuar këtë lidhje, duke i marrë jetën dy të rinjve me armën e shërbimit.

Gazetari Kuçi ka siguruar dhe një video rrëqethëse teksa dëgjohet nëna e një prej viktimave, Manol Rapajt, e cila mes dhimbjesh lëshon akuza për policinë si dhe vajzën që u bë ‘mollë sherri’ për krimin.
“Shtet i poshtër, shtet i korruptuar. Ça mase mori policia? Pse si siguroi jetën atyre. Po ata lëngaraqët e mu..u hodh nga çatia dhe doli lakuriq.. I çonte foto me by… përjashta”, dëgjohet teksa ulëret nëna e viktimës mes dhimbjes.

Nga ana tjetër banorët e zonës pohojnë se familjet Rapaj dhe Skëndaj ishin të qeta, po ashtu dhe dy djemtë e përfshirë në konflikt.

“Kjo që ndodhi do ishte më e mirë mos të kishte ndodhur. S’ke ça i bën tani. Është për të ardhur keq për këto familje. Kanë qenë familje shumë të mira. Në hallin e tyre, s’kanë pasur asnjë problem. Është për të ardhur keq me sinqeritet. Nuk di që të kenë pasur probleme. Nga njerëzit kemi dëgjuar që kanë bërë llafe si familje, por vet unë s’di gjë. Fëmijët ishin të mirë, dhe viktima dhe ish-polici i burgut. Ka qenë djalë i rregullt, i sjellshëm. Është për të ardhur keq për të dyja familjet. Unë isha në punë duke punuar. E pash në televizor me titra se çfarë kishte ndodhur”, -tha bashkëfshatari i tyre.

LIDHJA E DASHURISË QË SHKAKTOI VRASJEN E DYFISHTË
Një lidhje dashurie e fshehtë mes njëri prej viktimave dhe motrës së autorit është bërë shkak i vrasjes së dyfishtë dje në Patos. “BalkanWeb” mëson se motra e autorit prej disa vitesh ka qenë e lidhur me viktimën Manol Rapaj. Pasi ishte zbuluar lidhja e tyre, familjarët nuk ishin dakord për marrëdhënien e dy të rinjve, ndërsa kishin vendosur që vajzën ta martonin në Panahor të Ballshit. Ndonëse familja Skëndaj kishte menduar se ky do të ishte dhe fundi i problemeve, dy të rinjtë nuk e kishin ndërprerë lidhjen, dhe vazhdonin të takoheshin në fshehtësi. Pas disa kohësh marrëdhënia e tyre u zbulua nga bashkëshorti i vajzës dhe familjarët e tij, duke bërë që ajo të divorcohej. Siç duket as kjo ngjarje nuk ka ndikuar që dy të rinjtë të ndërpresin lidhjen, pasi kanë vijuar sërish të takohen, pasi shtëpitë i kishin shumë pranë njëra-tjetrës në fshatin Kuqar.

Gazetari Ervis Kuçi raporton se një prej mbrëmjeve që vajza kishte shkuar në dhomën e të dashurit të saj, ishte zbuluar nga nëna e këtij të fundit. “BalkanWeb” mëson se pas këtij episodi familjet debatuan ashpër, deri sa ngritën edhe sopatat, por u njoftua policia, e cili ndërhyri menjëherë duke mos lejuar përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. Viktima, Manol Rapaj, bashkë me babain e tij kishin shkuar para 4 ditësh në polici, ku kishin bërë denoncimin për ngjarjen në fjalë. Ndërkohë, ditën e djeshme, pasi autori ka debatuar në qendrën shëndetësore me Manolin, ka qëlluar ndaj tij me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa ka plagosur kushëririn e tij, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital. Pak pas krimit ai u arrestua nga policia, teksa tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb