Për herë të 9-të në histori Inter triumfon në Kupën e Italisë. Zikaltërit mbrojnë trofeun, festojnë për herë të dytë radhazi, një sukses që i jep formë këtij sezoni, por më e bukura ende nuk ka ardhur, ekipi i Inzaghit kërkon të renditet mes katër ekipeve më të mira në Serie A dhe sigurisht ëndërrojnë që më 10 qershor të festojnë në Stamboll, në finalen e Champions League.

Në stadiumin “Olimpik”, Fiorentina i befasoi pas vetëm 3 minutash lojë duke kaluar në avantazh me Gonzales. Tifozët zikaltër po shijojnë në maksimum këtë sezon një super Lautaro Martinez, “demi” edhe një herë bën heroin ku me një “dopietë” brenda pjesës së parë përmbysi shifrat. Në minutën e 29-të, argjentinasi u shërbye në zonë dhe me një goditje të fortë barazoi rezultatin në 1-1. Në të 37-tën, Martinez mori një top nga Barella dhe me një goditje fluturimthi përmbysi shifrat në 2-1.

Në pjesën e dytë të dy ekipet patën disa raste për shënim, por pa mundur të ndryshojnë rrjedhën e kësaj finaleje. Feston suksesin e tij të parë në karrierë edhe Kristjan Asllani, pavarësisht se Inzaghi nuk e aktivizoi.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Inter, Kupa është këtu. Lautaro i jashtëzakonshëm, trofeu mbetet zikaltër”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Kupa e demit. Lautaro vendos finalen përballë një Fiorentine të shkëlqyer”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb