Personi që shihni në foto është Amar (Dritan) Shkëmbi, i cili u arrestua në Abu Dhabi në kuadër të një aksioni policor me urdhër të SPAK, pasi akuzohet si i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.

Fotoja është siguruar për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Shkëmbi ishte shpallur në kërkim, ndërsa falë bashkëpunimit me autoritetet e Emirateve të Bashkuara u bë arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja me 5 nëntor 2019 dhe Arjol Halilaj me 5 maj 2020. Ndërkohë më 20 Janar të këtij viti u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Pas arrestimit të Shkëmbit, tashmë në kërkim për ngjarjen janë tre persona, Plarent Dervishaj, Julian Mecaj dhe Ramazan Rraja. Dyshohet se edhe Plarent Dervishaj ndodhet në Dubai.

Kujtojmë se GJKKO ka caktuar për Dritan Shkëmbin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb