TIRANË- I janë dashur 6 muaj që t’i kthehet jetës normale dhe të mund të buzëqeshë ndoshta pa makthin e dhunës së përjetuar në kopshtin “Diren”. Tashmë ai do të ketë përpara një të ardhme më të lehtë.

Vogëlushi që preku zemrat e mijëra shqiptarëve për shkak të dhunës që pësoi nga administratorja e kopshtit privat, Anjeza Shabani (denoncuar nga emisionini investigativ “STOP”), tani do të jetë pjesë e shërbimeve të Qëndrës Rajonale të Autizmit në Farkë.

I shoqëruar nga prindërit, ai ju bashkangjit festës tradicionale të fundvitit që Fondacioni Fëmijët Shqiptarë organizon për fëmijët e qëndrave të autizmit, duke gëzuar së bashku me ta.

Pas vlerësimeve të bëra nga stafi i specialistëve të Qëndrës Rajonale të Autizmit, ditën e hënë ai do të fillojë terapinë ABA. Kjo terapi do të ofrohet falas për vogëlushin ndërkohë që kostot e shërbimit në Qëndër do të mbulohen nga Armina Mevlani.

4-vjeçari që përloti shumë nëna shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të vendit, falë kujdesit të prindëve që i kanë qëndruar shumë pranë gjatë kësaj kohe, sot i është kthyer buzëqeshja dhe qetësia.

Prokuroria e Tiranës kërkoi 4 vite e 6 muaj burg për Anjeza Shabanin, administratoren e kopshtit “Diren”, e cila u akuzua edhe për dhunimin e 2 fëmijëve të tjerë përveç 4-vjeçarit R.A.

Por më 24 nëntor Gjykata e Tiranës e dënoi sot me 2 vite burg Shabanin për “keqtrajtim të të miturve në 3 raste”, si dhe për “fshehje të të ardhurave”, pasi ajo fitoi gjykim të shkurtuar, duke iu ulur 1/3 e dënimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb