Në foton që shihni është Mexhit Picari bashkë me vajzën e tij, Dhurata Saliaj, pak para vrasjes së Kudret Saliajt. Ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën ndodhi më 4 qershor 11:50 minuta në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Në foton e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb shihet se si qëndrojnë para lokalit ku ndodhi ngjarja babë e bijë.

Kamera e sigurisë së lokalit tregon se ora shënon 11:17 minuta, ku tregohet se e bija e Mexhit Picarit, ishte bashkëpunëtore në krimin makabër. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se nesër në orën 9:15 Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj do të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Prokuroria ka ashpërsuar akuzën për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj 2 ose më shumë personave kjo sepse ka dyshime se babë e bijë bashkëpunuan për të vrarë Kudret Saliajn dhe këtë e mbështet në pamjet e kamerave të sigurisë. “Rezulton se Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj kanë dalë më 4 qershor nga banesa e tyre në Vorë dhe janë nisur për Tiranë. Para ngjarjes babë e bijë kanë vëzhguar Kudret Saliajn. Dy personat kanë konstatuar se Avokati Cama ndodhej në bar kafe.

Viktima Kudret Saliaj ka hyrë në lokalin ku ndodhi krimi dhe është ulur në tavolinën ku ndodhej avokati, pak minuta më pas dhe psikologia Anila Trifoni që është ulur me ta. Gjatë kësaj kohe Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj kanë këqyrur lëvizjet. Ata kanë hyrë në 11:52 në lokal dhe janë ulur në një tavolinë tjetër. 48 sekonda më vonë Dhurata Saliaj që ishte me shpinë nga viktima, është ngritur dhe i ka afruar babait një çantë dore dhe më pas babai nxjerr armën dhe qëllon ish-dhëndrin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe plagosur avokatin Cama. Në këto momente Mexhit Picari është larguar dhe ka hedhur armën në Lanë, ndërsa Dhurata Saliaj ka qëndruar dhe disa sekonda dhe më pas është larguar në të njëjtin drejtim me të atin”, -raportoi Lala.

Ajo tha se dëshmitë kontradiktore janë një tjetër fakt ku mbështetet prokuroria. “Mexhit Picari në dëshminë e tij ka thënë se ka hyrë rastësisht në lokal dhe kur ka hyrë Kudreti e ka ofenduar dhe duke menduar se ishte i rrezikshëm e ka qëlluar. Ndërsa Dhurata Saliaj ka deklaruar se armën e ka pasur me vete, duke thënë se ka dalë vetëm nga banesa në Vorë dhe ka udhëtuar për në Tiranë. Por pamjet e kamerave të sigurisë e rrëzojnë këtë version pasi babë e bir kanë ardhur me të njëjtën makinë në Gjykatë. Sipas prokurorisë, babë e bir e kanë organizuar vrasjen e Kudret Saliajt”, raportoi Lala.

Ndërkohë djali 16-vjeçari i çiftit ka qenë një lokal tjetër pranë vendit të ngjarjes. “Djali ka thënë për policinë se ‘babi në momentin që konstatoi se gjyshi me mamin ndodheshin në një lokal më tha të mos ikja aty, por në një tjetër lokal me kushëririn tim’”, ka deklaruar ai. Një ditë para ngjarjes, Mexhit Picari me avokatin dhe Kudret Saliaj me avokatin kanë shkuar në banesën e çiftit që Dhurata të merrte sendet e saj, por nuk ia kanë dhënë. Avokati pretendon se ka pasur kërcënime e fyerje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb