DURRËS- Policia e Durrësit ka sekuestruar një numër të madh të kasetave me pamje filmike nga kamerat e sigurisë së objekteve dhe bizneseve të shumta në autostradën Durrës-Tiranë pranë vendit ku ndodhi vrasja e Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti. Pamjet filmike pritet të jenë edhe një ‘armë’ e fortë në zbardhjen e krimit të dyfishtë.

2

Por ndërsa të gjitha pronarët e bizneseve janë shprehur të gatshëm të japin pamjet filmike, policia nuk ka pasur mirëkuptimin e njërit prej tyre. Gazetarja Klodjana Haxhiaj që ka qenë edhe sot në vendin e ngjarjes tha për “BalkanWeb” se një prej subjekteve që ka 4 kamera sigurie dhe fushëpamje të plotë mbi vendin ku ndodhi vrasja nuk e ka ndihmuar Prokurorinë dhe policinë për t’i dhënë materialet e kamerave duke u justifikuar se nuk kanë server.

1

Pra, sipas tij kamerat filmojnë por asgjë nuk ruhet, shkruan “BalkanWeb”. Nuk dihet nëse ky arsyetim është verifikuar apo nëse pronari i objektit i druhet dikujt për të vënë në dispozicion të policisë pamjet e kamerave.

3

Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti u ekzekutuan dje pranë mbikalimit të Sukthit, ndërsa ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip “Audi S8”. Nga një fuoristradë e zezë dyshohet se është qëlluar me breshëri drejt makinës së viktimave duke i lënë të vdekur në vend. Policia ka shoqëruar 18 persona për zbardhjen e ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb