Një 22-vjeçare shqiptare, studente në Fakultetin e Statistikave në Universitetin La Sapienza të Romës është zhdukur prej 1 jave. Për Ilaria Sulën, e cila sipas atyre që e njihnin u zhduk më 25 mars nga zona e Furio Camillo ku jetonte në një apartament që ndante me disa shoqe, nuk ka asnjë lajm.

Familjarët janë të shqetësuar ndërsa fotot e saj janë shpërndarë në rrjetet sociale, por një ankesë është bërë edhe në Policinë e Romës.

Shoqja me të cilën ajo ndante dhomën ka treguar se Ilaria u largua nga shtëpia në orën 21:30 të së martës, më 25 mars, pa treguar. “Ajo nuk i tha askujt se ku po shkonte, ajo nuk tha lamtumirë, por kishte ndodhur edhe herë të tjera në të kaluarën që ajo të mos thoshte lamtumirë. Ne nuk pamë asgjë të çuditshme. Por që atëherë nuk e kam parë dhe as kam dëgjuar më prej saj”, shprehet ajo.

Disa mesazhe të shkëmbyera në aplikacionin WhatsApp me shoqet e tjera të dhomës, pasi ishte larguar, po hetohen nga autoritetet.

Prej datës 29 mars ajo nuk është përgjigjur më në telefon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb