Uji që rrjedh nga një mur akulli me penelata gri të reve krijon një imazh të bukur, por pas kësaj pamjeje fshihet një histori shkatërrimi.

Akullnajat e Tokës po shkrihen me një ritëm të paprecedentë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Ishte gushti i vitit 2014 dhe temperaturat në Svalbard, Norvegji, ishin jashtëzakonisht të ngrohta, mbi 21 gradë Celsius. Ndërsa vinte rreth cepit të një sipërfaqeje akulli në ishullin Nordaustlandet, fotografi kanadez, Paul Nicklen kujton se pa më shumë se një duzinë ujëvarash që derdheshin përpara tij.

“Ishte skena më poetike, më e bukur që kisha parë ndonjëherë, por ishte gjithashtu dhe e frikshme”, kujton ai.

Fotografia simbolizon realitetet e ndryshimeve klimatike, duke u bërë imazhi më i shitur i artit të bukur të Nicklen.

Ajo u shfaq disa herë në “National Geographic”, u përdor nga Al Gore, (themeluesi dhe drejtuesi aktual i Projektit të Realitetit të Klimës), në bisedimet e tij për klimën.

Fotografia e Nicklen u shfaq gjithashtu në kopertinën e albumit të vitit 2020 të Pearl Jam “Gigaton”, titulli i të cilit i referohet njësisë që përdoret për llogaritjen e masës së akullit.

“Kur bën një fotografi që është e ekspozuar siç duhet, krijon një reagim të brendshëm. Duhet të jetë e bukur dhe tërheqëse, dhe duhet të përcjellë një mesazh për ruajtjen e mjedisit”, tha Nicklen.

Në vitin 2014, Nicklen, së bashku me bashkëshorten e tij, Cristina Mittermeier, dhe më vonë iu bashkua gjithashtu Andy Mann (të dy fotografë të vlerësuar me çmime), bashkëthemeluan organizatën jofitimprurëse “SeaLegacy”, e cila përdor filmin dhe fotografinë për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet klimatike dhe për të ndihmuar në mbrojtjen planetit.

“Fotografia është një nga mjetet më efektive dhe më të fuqishme që kemi për të treguar histori komplekse, si historia e ndryshimeve klimatike”, tha Cristina Mittermeier.

Ajo e dëshmoi këtë fuqi me një nga fotografitë e saj, të realizuara në gusht 2017, e cila tregonte një ari polar të uritur.

Pasi u publikua në “National Geographic”, fotografia dhe videoja shoqëruese u bënë virale, të shpërndara në mediet sociale dhe organizatat e lajmeve në mbarë botën.

Ajo ndezi një bisedë globale mbi ndryshimin e klimës, duke provokuar përgjigje që varionin nga shqetësimi dhe ndjeshmëria deri te mohimi i klimës.

“Por, nuk mund të mohohet se ajo tronditi botën. Njerëzit ende e kujtojnë dhe kanë reagime të forta kur e shohin atë”, tha Mittermeier.

Si të ftuar në serinë “Call to Earth” të CNN, Nicklen dhe Mittermeier zgjodhën këto dy imazhe, së bashku me tetë të tjera, që ata besojnë se kanë alarmuar botën për krizën klimatike.

Fotografë të luftës
Nicklen e krahason fotografimin e ndryshimeve klimatike me fotografimin e konfliktit.

“Ne jemi atje në vijën e parë të luftës që po zhvillohet kundër planetit tonë. Është emocionalisht rraskapitëse”, tha ai.

Gjatë dekadave të fundit, ndërsa fatkeqësitë klimatike janë bërë më të shpeshta dhe intensive, imazhet kanë kapur më qartë urgjencën e situatës.

Gjashtë gjirafa të ngordhura, trupa të dobësuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit, të fotografuara nga Ed Ram, tregojnë tmerrin e thatësirës së zgjatur të vazhdueshme në Kenia, e cila ka kërcënuar dhe zhvendosur kafshët dhe njerëzit.

Fotografitë e zjarreve të egra, si ato që shkatërruan Australinë në 2019 dhe 2020, tregojnë shkallën e shkatërrimit, me banesa që digjen nga zjarri dhe kafshë të egra që largohen nga dëshpërimi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Ato tregojnë se ndryshimi i klimës po ndodh kudo”, tha Mittermeier.

Mittermeier kujton punën e mikut të saj dhe ndikimin e tij të madh, Gary Braasch, të cilin ajo e përshkruan si një “kronist të ndryshimeve klimatike”.

Fotografi, i cili vdiq në vitin 2016, i kushtoi dy dekadat e fundit të jetës së tij dokumentimit të Tokës, ndryshimit të saj në përgjigje të ngrohjes globale, nga Antarktida, me shkrirjen e akullnajave, në ishullin Bhola në Bangladesh, ku niveli i detit dhe erozioni në rritje, i kanë kthyer fshatrat në ishuj.

Angazhimi i Braasch ndaj kësaj kauze hapi rrugën për gjeneratën e fotografëve të konservimit të Nicklen dhe Mittermeier.

Megjithatë, ndonjëherë, ndryshimi i klimës mund të jetë me i ngadaltë se sa kronikë.

Nivelet e detit rriten me disa milimetra çdo vit, një rritje jo shumë e dukshme pavarësisht se ndodh me një ritëm më të shpejtë se kurrë më parë.

“Është si të fotografosh një cunami që lëviz ngadalë”, tha Mittermeier.

“Shpesh është e vështirë të shihet në moment, por kur dy imazhe vendosen krah për krah, është e vështirë të mos dallohet ndikimi që ka kriza klimatike”, shtoi ajo.

“Puna e fotografit, James Balog ka qenë vendimtare në krijimin e narrativës vizuale të ndryshimeve klimatike”, tha ajo.

Duke përdorur një rrjet kamerash që regjistrojnë akullnajat anembanë botës, sondazhi i tij “Extreme Ice “ka demonstruar se si akullnajat po zhduken me kalimin e kohës.

Arkivi i gjerë i fotografive të secilës akullnajë të filmuara gjatë gjithë vitit, në çdo orë të ditës, ka ofruar gjithashtu një bazë nga e cila mund të maten ndryshimet e ardhshme klimatike.

Mittermeier dhe Nicklen zgjodhën gjithashtu imazhe ku përplasen njerëzit dhe natyra.

Një nga efektet e ndryshimit të klimës është edhe humbje dramatike e biodiversitetit.

“Që nga viti 1970, popullsia e kafshëve të egra është reduktuar me 69%, kryesisht për shkak të ndryshimit të përdorimit të tokës që ka fragmentuar habitatet thelbësore, dhe gjithashtu temperaturat në rritje, të cilat kanë çuar në ngjarje të vdekshmërisë masive”, sipas Raportit të Planetit të Gjallë të WWF për 2022.

Me ngrohjen e Arktikut, gati katër herë më shpejt se pjesa tjetër e globit, akulli nga i cili varet jetëgjatësia e arinjve polarë po shkrihet.

Fotografia e Dmitry Kokh “House of Bears”, një nga fituesit e çmimit “Wildlife Photographer of the Year” në 2022, tregon arinjtë polarë që enden në një vendbanim të braktisur sovjetik, në ishullin Kolyuchin.

Ndërsa ndërtesat kanë qenë prej kohësh të shkreta, Mittermeier beson se kjo tregon për problemin në rritje të arinjve polarë, në një mjedis pa akull për të gjuajtur, që shkelin hapësirat njerëzore dhe ndeshen me njerëzit lokalë, duke çuar në rezultate tragjike për të dyja palët.

Efektet e ndryshimit të klimës tashmë po godasin kafshët dhe njerëzit.

“Ne të gjithë jemi të prekur në mënyra shkatërruese dhe nuk mund ta ndajmë veten nga jeta me të cilën ndajmë këtë planet”, tha Mittermeier.

Seriali “The Day May Break” nga fotografi Nick Brandt portretizon ndryshimet klimatike, duke treguar njerëz dhe kafshë të prekura nga shkatërrimi i mjedisit.

Fotografitë, të marra në strehët e kafshëve në mbarë botën, paraqesin njerëz që janë zhvendosur nga ngjarjet e ndryshimeve klimatike si thatësira ose përmbytjet, dhe kafshë që kanë qenë viktima të shkatërrimit të habitatit ose trafikimit të kafshëve të egra.

Portretizimi i tyre në të njëjtin kuadër tregon se sa thellë janë të ndërthurura fatet tona.

Mes imazheve të shkatërrimit dhe zhvendosjes, ka edhe nga ato që nënkuptojnë shpresën. Në veprën e Brandt, ai thekson se subjektet e imazheve, si njerëzit ashtu edhe kafshët, janë të mbijetuar. “Aty qëndron shpresa dhe mundësia,” shkroi ai.

Për Mittermeier dhe Nicklen, dhe “SeaLegacy” në tërësi, dhënia e një mesazhi shprese është jetike për një mision më të gjerë.
“Martin Luther King nuk e nisi fjalimin e tij të famshëm duke na kujtuar se jetojmë në një makth, ai na tha se cila është ëndrra”, tha Mittermeier. “Duhet të vëmë në dukje se çfarë është ajo që ne aspirojmë dhe tregojmë se ku është shpresa”, shtoi ajo.

Shpresa është te jeta e egër dhe oqeani.

Njerëzit po zgjohen për rolin e tyre në zbutjen e ndryshimeve klimatike, dhe rikthimi i natyrës në gjendjen e mëparshme do të jetë vendimtare për shmangien e krizës.

Për Mittermeier, fotografia e saj, e një luani deti që ngrihet në sipërfaqe në Galapagos, një nga zonat më të mëdha të mbrojtura detare në botë, tregon se si jeta në oqean mund të lulëzojë me mbrojtjen e duhur.

Dhe fotografia e Nicklen e një balene, përfaqëson për të një nga aleatët më të mëdhenj në dekarbonizimin: jo vetëm që trupat e balenave janë rezerva të mëdha karboni, feçet e tyre ushqejnë fitoplanktonin që thith dioksid karboni nga atmosfera.

Duke treguar bukurinë e planetit, çifti beson se mund t’u tregojnë njerëzve se ia vlen të luftosh akoma.

“Ne po përpiqemi të ngjitemi në malin më të lartë dhe të bërtasim nga majat e maleve se ky planet po vdes dhe se jemi në rrezik”, tha Nicklen.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: