TIRANË

Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi ka fotografuar votën e tij. Sipas burimeve zyrtare, më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.

Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.

Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb