NGA IV KALOCI

Sot në “Gazeta Shqiptare” po botojmë 24 foto, duke u për pjekur të hedhim sadopak dritë në kronologjinë e historisë famëkeqe 48-vjeçare të Sigurimit të Shtetit. Në këto foto, të periudhës 1945-1991, tregohen qartë natyra dhe karakteri represiv i kësaj “arme” të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila u përdor nga diktatori Enver Hoxha për të ruajtur pushtetin personal të tij, dhe njëkohësisht për të shtypur çdo lloj forme të opozitës ndaj tij. Në këto 24 foto, kemi paraqitur disa nga ngjarjet më kryesore ndër vite, të cilat do ta kthenin këtë institucion në një nga emrat më të tmerrshëm për vetë popullin shqiptar, të cilin ai ishte krijuar që ta mbronte.

FOTOGRAFITE
1 – Dënimi i grupit puçist. Pas arrestimit dhe burgosjes së Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit në të ashtuquajturin Grupi Armiqësor në Art dhe Kulturë në vitin 1973, një tjetër kastë e rëndësishme do të ndjente mbi shpinë spastrimet e radhës të organizuar nga PPSH, pikërisht ajo e ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Plenumi V i KQ të PPSH-së dhe aktivi i Ushtrisë në Durrës, të zhvilluara në korrik të 1974-ës, do të vulosnin paraprakisht fatin e kobshëm të ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume, dhe Drejtorit Politik të ushtrisë Hito Çako. Kësaj here MPB do të vinte në lëvizje dy nga mekanizmat e saj më të mprehta për sa i përket zbulimit dhe goditjes së këtyre grupeve. Dega e Sigurimit të Ushtrisë e drejtuar nga Çerçiz Xhelo (përgjegjëse për arrestimin, torturimin dhe burgosjen e dhjetëra ushtarakëve gjatë periudhës 1974-1975), si dhe Degën e veçantë të Grupeve Anti-Parti të kryesuar nga Nevzat Haznedari dhe Kristofor Mërtiro (përgjegjëse për goditjen e të gjitha grupeve puçiste deri në 1983- shin).

Gjyqi ndaj tyre do të zgjaste 1 muaj dhe përfundimisht të tre hierarkët madhorë të Ushtrisë shqiptare do të dënoheshin me vdekje dhe do të pushkatoheshin në 5 nëntor 1975. Akuzat e krijuara të Sigurimit ndaj tyre do të ishin: 1- Organizimi i puçit ushtarak për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës, 2-Abuzime të rënda me fondet e Ushtrisë dhe pasurinë shtetërore, 3-Bashkëpunim me agjenturat e huaja për të sulmuar dhe pushtuar Shqipërinë gjatë periudhës së nderë të marrëdhënieve shqiptarokineze, 4-Tentativë për të shpërndarë Ushtrinë shqiptare në rast lufte. Fotoja përkatëse paraqet Beqir Ballukun e Petrit Dumen, dhe pas tyre Hito Çakon e Rrahman Përllakun, gjatë dhënies së vendimit në shkurt të 1975-ës.

2 – Pushkatimi i gjeologëve. Spastrimet e famshme të grupeve armiqësore do të vazhdonin në mënyrë alarmante në mesin e viteve ’70, sidomos pas eliminimit të grupit armiqësor në ekonomi, gjë që çoi në pushkatim ministrat e Ekonomisë dhe Industrisë, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, në periudhën 1976-1977. Gjatë kësaj kohe rrënimi ekonomik i Shqipërisë sapo kishte filluar të merrte përmasa galopante dhe shtetit shqiptar do t’i duheshin të tjera “koka turku” për t’u sakrifikuar. Dështimi për realizimin e planit 5- vjeçar sidomos në sektorin e hidrokarbureve do të binte në sy të Sigurimit të Shtetit, të cilët, nëpërmjet Degës së Naftës me qendër në Fier, të drejtuar nga Spiro Lame, do të montonin akuzat e pabaza për disa nga specialistët dhe gjeologët më të mirë të naftës në Shqipëri.

Gjyqi ndaj gjeologëve të naftës do të zhvillohej brenda 8 ditëve dhe sërish akuzat e montuara të Sigurimit do të çonin në plumb Koço Plakun (vëllai i Panajot Plakut) dhe Milto Gjikopullin. Gjithashtu, me 25 vjet burg do të dënoheshin Nuredin Skrapari, Dhimitër Stefa, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Lipe Nashi dhe Jani Konomi. Imazhi përkatës tregon trupin gjykues të përbërë nga Eleni Selenica, Mithat Goskova, Fehmi Lagreta, dhe prokuror Sotiraq Samara, gjatë seancave gjyqësore të këtij grupi gjeologësh. Mesazhi ishte tejet i qartë: edhe gabimi më i vogël në ekonomi, qoftë ky edhe imagjinar, nuk do të tolerohej.

3 – Grupi “Terrorist” i Poshnjes. Janari i vitit 1978, do të vinte në një mënyrë jo të zakontë për qytetarët e Beratit, të cilët do të dëgjonin nëpërmjet megafonave pretencën e prokurorit Qemal Lame mbi 4 të akuzuarit, Luftëtar Protoduari, Muharrem Protoduari, Riza Hazizi dhe Ushtar Çobo, të cilët ishin arrestuar në verën e vitit 1977 me akuzën e hedhjes në erë të Kombinatit të Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat. Organet e Sigurimit të Shtetit, përgjatë gjithë historisë së tyre do të montonin shpeshherë akuza të paqena mbi kundërshtarët realë apo imagjinarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Gjyqi i të ashtuquajturit Grupi Terrorist i Poshnjes (fshat në rrethin e Beratit), do të filmohej i gjithi dhe do të shfaqej shpesh në Kinoditarët e kohës. Zhvillimi me pompozitet të madh i këtij procesi gjyqësor mbi djemtë e disa familjeve të klasifikuara “kulake” nga regjimi i kohës, do të tregonte edhe njëherë në mënyrë të qartë praninë e kudondodhur të Sigurimit të Shtetit, Policisë dhe organeve të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Fotoja tregon ndërtesën e Degës së Brendshme të Beratit, vendi ku u zhvillua gjyqi i “vërtetë” ndaj tyre. Të torturuar për 8 muaj rresht nga hetuesit dhe operativët e rrethit të Beratit, në qelitë e Degës, vëllezërit Protoduari, Riza Hazizi dhe Ushtar Çobo do të detyroheshin që t’i pranonin të gjitha akuzat ndaj tyre. Gjyqi do të zhvillohej në Kinoklubin e Kombinatit të Tekstileve dhe gjykatësi Ali Zanko do të jepte verdiktin me vdekje për Luftëtar Protoduarin dhe Riza Hazizin. Ndërsa Muharrem Protoduari dhe Ushtar Çobo do të dënoheshin me respektivisht 25 dhe 20 vjet burg. Akuza ndaj tyre do të ishte disi e çuditshme. “4 djem të rinj do të hidhnin në erë me sasi të vogla eksplozivi Kombinatin e Tekstileve, që shtrihej në një rreze prej 1 km dhe që ruhej rreptësisht me policë të armatosur”?

4 – Fotoja e fundit e kryeministrit. Kjo foto e bërë në nëntorin e viti 1981 paraqet kryeministrin Mehmet Shehu së bashku me disa nga eksponentët e lartë të MPB-së dalë me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Klubit Sportiv Dinamo. Në të djathtën e tij ndodhet Simon Stefani, një prej anëtarëve të lartë të Byrosë Politike (ministër i Brendshëm i ardhshëm), i cili, natën e vetëvrasjes së kryeministrit në plenumin e mbajtur në Pallatin e Brigadave do të tregohej më aktivi në mbështetjen e akuzave të Enver Hoxhës ndaj Mehmet Shehut, të cilësuar si “Poliagjenti më i rrezikshëm”. Sipër tij qëndron Raqi Iftica (zv-ministër i Brendshëm për Kufirin) dhe njëkohësisht Drejtor i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës (Iftica do të drejtonte seancat e hetuesisë ndaj të akuzuarve të Grupit Armiqësor të MPB-së në vitet 1982-1983).

Poshtë tij ndodhet Rexhep Kolli (shef i Ministrisë së Brendshme për KQ të PPSH-së), i shkarkuar nga detyra në vitin 1982 dhe dëshmitar në gjyqin e Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut. Në të majtën e tij qëndron Bato Karafili (sekretar i Komitetit të Partisë për Ministrinë e Brendshme). Karafili do të vetëvritej në mënyrë misterioze në vitin 1982 në të njëjtat rrethana si Mehmet Shehu. Anash tyre Xhule Çiraku (zv-ministër i Brendshëm për Policinë), përgjegjësi kryesor për arrestimin e ish-eprorëve të tij Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit dhe Mihallaq Ziçishtit. Vetëvrasja misterioze e Shehut mesnatën e 18 dhjetorit 1981 ironikisht do të çelte siparin e goditjes përfundimtare të Enver Hoxhës mbi grupet Armiqësore kësaj radhe ironikisht në vetë Ministrinë e Brendshme.

5 – Zbarkimi i Xhevdet Mustafës. Ende nuk ishte shuar mirë jehona e vetëvrasjes misterioze të kryeministrit Mehmet Shehu në vilën e tij, kur në mesnatën e 25 shtatorit të vitit 1982, në plazhin e Divjakës do të zbarkonin me një motoskaf nga Italia 3 persona të armatosur, misioni i të cilëve do të ishte eliminimi i Enver Hoxhës. I pari Xhevdet Mustafa (shqiptaro-amerikan i arratisur në SHBA në vitin 1960, kundërshtar i vendosur i regjimit komunist), i dyti Sabaudin Haznedari (ish-oficer i Sigurimit, i arratisur në rrethana të dyshimta në Itali), ndërsa i treti Halit Bajrami (agjent i Sigurimit, i vendosur në Zelandën e Re). Aventura e rrezikshme e bandës së Xhevdet Mustafës do të zgjaste më pak se 24 orë, pasi ata do të pikaseshin nga efektivët e Policisë dhe Punëtorët Operativë të Lushnjës. Gjatë lëvizjeve të tyre kjo bandë do të shkaktonte një masakër të vërtetë, pasi do të vriste 5 persona dhe do të shkaktonte një çorientim të rendit publik në Shqipëri, gjë e cila nuk ndodhte prej 30 vjetësh që nga eliminimi i Hamit Matjanit.

Rreth 500 efektivë të forcave të policisë të mbështetur nga ushtarë dhe pjesëtarë të çetave territoriale do të rrethonin bandën në trekëndëshin Lushnjë- Rrogozhinë – Kavajë. Vetë ministri Hazbiu së bashku me Muho Asllanin, Lenka Çukon dhe Hekuran Isain do të vinin për të parë nga afër situatën e rëndë. Pas një beteje të shkurtër, Sabaudin Haznedari do të vritej dhe Halit Bajrami do të “dorëzohej”. Ndërsa Xhevdet Mustafa do të strehohej në një shtëpi në fshatin Zhamë të Lushnjës, ku do të merrte peng anëtarët e familjes. Por në fund, gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, pas një shkëmbimi zjarri Mustafa do të mbetej i vdekur, dhe shtëpia ku ai qëndroi do të dëmtohej pjesërisht nga ndërhyrja e autoblindit të policisë, siç duket në foton përkatëse. Më pas, kufoma e tij do të transportohej fshehurazi në morgun e Tiranës. Ardhja e Mustafës në Shqipëri do të mbetej një mister, ndërsa burime të tjera shpjegojnë se ajo kishte lidhje me eliminimin e Mehmet Shehut dhe implikimin e Hazbiut në të.

6 – Procesi final. Pas eliminimit të Xhevdet Mustafës, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, me urdhër të Enver Hoxhës, do të firmoste arrestimin e menjëhershëm të kupolës më të lartë të Sigurimit të Shtetit. Kadri Hazbiu (ish-ministër i Brendshëm), Feçor Shehu (shef i Sigurimit) Llambi Peçini (shef i sigurimit të udhëheqjes), Llambi Ziçishti (ministër i Shëndetësisë), Mihallaq Ziçishti (ish- Drejtor i Sigurimit), Nesti Nase (ministër i Jashtëm), Fiqret Sanxhaktari dhe fëmijët e saj etj. Të gjithë këta miq dhe të afërm të rrethit të ngushtë familjar të Mehmet Shehut do të arrestoheshin dhe do t’u nënshtroheshin seancave të gjata të deponimeve nën tortura. Gjyqi ndaj kupolës së lartë të MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit do të zhvillohej në vitet 1982- 1983. Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti do të dënoheshin me vdekje dhe do të ekzekutoheshin natën e 9 shtatorit të vitit 1983. Ndërsa Fiqret Shehu, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti etj., do të dënoheshin me burgime të gjata. Imazhi përkatës tregon Kadri Hazbiun duke deponuar në gjyqin e tij krahas një dëshmitari.

7 – Vrasja e turistit francez. Pas eliminimit të të ashtuquajturit Grupi Armiqësor i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shqipëria do të futej më shumë se kurrë nën një gjendje alarmi dhe shtetrrethimi, për gati 1 vit e gjysmë, deri në vdekjen e Enver Hoxhës në 1985- ën. Vendi do të rrethohej me një klon kufitar, i cili fillonte nga pika e Bordolecit në Shkodër dhe mbaronte në Qafë-Botë të Sarandës. Por një ngjarje e pazakontë do të ndodhte në 18 qershor të vitit 1984 në bregdetin e Ksamilit. Një jaht turistik i “French Club Mediterranean”, i ardhur nga Korfuzi, po lëvizte në drejtim të ishujve të Ksamilit për të zhvilluar disa xhirime nënujore.

Por tragjedia do të ndodhte pak minuta më pas, kur një grup ushtarësh kufitarë të cilët po patrullonin zonën qëllojnë me një breshëri plumbash jahtin, dhe për pasojë vrasin 30-vjeçarin francez Jean-Marie Masselin si dhe plagosin lehtë dy kolegët e tij, të cilët ikin me shpejtësi në drejtim të Korfuzit. Vrasja e Masselin-it u bë, për shkak se ky i fundit u kishte treguar pajimet nënujore kufitarëve, të cilët i kishin marrë ato për armë të sofistikuara. Kaq kishte mjaftuar që turisti francez të bëhej shoshë nga kufitarët, dhe kufoma e tij të qëndronte disa orë duke pluskuar në ujë derisa u tërhoq nga policia greke. Vrasja e turistit francez do të ishte, pa dyshim, një ngjarje e shëmtuar në vazhdën e historive tragjike të vrasjeve në kufi, të cilat kishin filluar që në fundin e viteve ’40 dhe do të mbaronin në vitin 1990. Imazhi tregon disa kufitarë të cilët po patrullojnë bregdetin e Sarandës. Fotoja u përket viteve ’80. Ushtarët kufitarë, për çdo të vrarë ose të kapur në kufi shpërbleheshin në sasi monetare dhe u jepeshin 15 ditë pushime vjetore.

8 – Fundi i marrëzisë. Me rënien e monumentit të Enver Hoxhës në 20 shkurt të vitit 1991, do të ndodhte përfundimisht edhe shembja e regjimit komunist 48-vjeçar shqiptar. Pas largimit të këtij monumenti nga sheshi “Skënderbej”, me mijëra njerëz të irrituar nga emri dhe karakteri famëkeq i Ministrisë së Brendshme dhe veçanërisht i Sigurimit të Shtetit, iu vërsulën njërës prej godinave e cila për vite me radhë ishte kthyer në objektin më të tmerrshëm për qytetarët e Tiranës, ashtu siç tregohet edhe në këtë foto: muzeu i MPB-së, ose siç njihej ndryshe Muzeu i Sigurimit.

Ky muze ishte krijuar me urdhër të posaçëm të Enver Hoxhës dhe ministrit Kadri Hazbiu për të “përjetësuar” kujtimin e veprimtarisë së kobshme gjysmëshekullore të këtij institucioni. Gjatë demonstratave të 1991-shit, kjo godinë (pas Ministrisë së Brendshme), si shenjë hakmarrjeje do të digjej, plaçkitej dhe shkatërrohej nga turmat e irrituara. Në këtë muze, që nga krijimi i tij në vitin 1963 me rastin e 20-vjetorit të Sigurimit, do të ekspozoheshin me dhjetëra dokumente, foto, artifakte si dhe objektet e famshme që do të shërbenin si dëshmi e gjallë e një prej periudhave më absurde që ka njohur historia e Shqipërisë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: