TIRANË

Kryeministri Edi Rama është i ftuar sot i gazetarit Sokol Balla në emisionin “Real Story” në News24 për të folur për zhvillimet e shumta politike por edhe akuzat e opozitës.
Rama e ka nisur duke iu përgjigjur një çështje si ajo e fotos me Presidentin amerikan Barack Obama, ku disa ditë më parë gjykata dënoi një shtetas amerikan, William Argeros me akuzën se kishte ndërhyrë për të mundësuar këtë foto të kryeministrit shqiptar duke sajuar një kontribut të paligjshëm nga një i huaj, ndërkohë që PD i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet.

Shefi i qeverisë tha se kjo është një çështje e hetuar dhe e gjykuar në SHBA dhe po të kishte lidhje nuk do ishte i papërfshirë nga ana e drejtësisë amerikane. Ai e komentoi si një lojë politike duke kujtuar akuzat për PD dhe lobimin rus.

“Kjo është një çështje e hetuar dhe e gjykuar në SHBA dhe unë po të kisha lidhje me këtë çështje nuk do isha një person tërësisht i papërfshirë, i pa pyetur dhe i pakonsideruar gjëkundi nga ana e drejtësisë amerikane. Kjo vjen si përpjekje për rikompensuar në sytë e publikut një çështje tjetër të hapur, shkelje flagrante e ligjeve shqiptare dhe me përfshirje të aktorëve të tretë përmes financimit të PD. Është thjesht një lojë politike dhe nuk më intereson. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment, kam bërë një foto me presidentin e SHBA-ve dhe kaq”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb