TIRANË

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë hetimet për çështjen e përfolur të fotos mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit amerikan Barack Obama në vitin 2012.

Burime zyrtare thanë për “BW” se PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet për ‘pagesën e 80 mijë dollarëve të paguar nga Edi Rama për foton me Presidentin e SHBA, Barack Obama në vitin 2012′.

“Kërkesa e PD-së i është dërguar prokurorisë pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, shtetas amerikan, që ka paguar 80 mijë usd për llogari të Edi Ramës. Këtë e pohoi në gjyq avokati i William Argeros, të cilin Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare e citojnë të ketë thënë se “klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama’.

Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Shuma prej 80 mijë USD vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama dhe as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Prokuroria shqiptare, bazuar në këtë rrethanë të re, të bërë publike nga ‘Zëri i Amerikës’, ka detyrimin që të nisë menjëherë procedimin penal, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për burimin e financimit prej 80 mijë usd që Edi Rama ka paguar dhe nuk i ka deklaruar”, deklaron PD.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb