*Qytetarët në protestë me kartona të kuq “votojnë” kundër importit të mbetjeve

TIRANE- Qytetarët e thirrur nga përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave kanë protestuar ditën e sotme për më shumë se dy orë kundër ligjit të mbetjeve të miratuar në Kuvend. Pasi janë mbledhur në orën 11:00 tek Parku “Rinia”, ata kanë lëvizur drejt Kryeministrisë. Qytetarët kanë protestuar me kartona të kuq në duar, duke simbolizuar kështu votën e tyre kundër importit të mbetjeve.

Përfaqësues të AKIP thanë se qëllimi i kësaj proteste është që të tregojnë me forcën e zërit të qytetarëve kundërshtinë ndaj importit të mbetjeve.

“Ne do të kundërshtojmë ligjin për importin e mbetjeve. Jemi të hapur për të gjithë ata që e ndiejnë shqetësimin e situatës së rëndë ekologjike në vendin tonë”, thanë ata.

Edhe pse protestuesit u zhvendosën para Kryeministrisë, kreu i Qeverisë nuk do ka qenë aty, pasi paralelishit me marshimin e qytetarëve është zhvilluar edhe Asambleja e Partisë Socialiste.

Pjesë e kësaj proteste kanë qenë edhe aktori i mirënjohur Robert Ndrenika dhe skenaristi e shkrimtari Kiço Blushi, babai i deputetit Ben Blushi. Po ashtu, pjesë e tubimit janë bërë edhe disa gazetarë.

Në fjalën e saj, aktivistja Kozara Kati tha se “Jemi këtu për zgjidhjen, për të detyruar politikën shqiptare për të dëgjuar zërin e popullit”.

Përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Feruni tha se, edhe pse deputetët kaluan ligjin, janë 63 mijë vetë thonë që i thonë “JO” atij.

“Duan t’i sjellin plehrat në mënyrë më të sofistikuar. Deputetët kaluan ligjin, por janë 63 mijë vetë thonë që i thonë “JO” atij. Ligji sot lejon riciklimin e mbetjeve për djegie. Ka hile në ligjin e miratuar për importin e mbetjeve”, tha Feruni.

Ndërsa, Gjikondi e cilësoi importin e mbetjeve si një tradhti kombëtare.

“Ligji për importin e plehrave është tradhti e kombëtare. Po e trajtojnë atdheun në mënyrë kriminale. Rama shkeli fjalën edhe si burrë edhe si shqiptar”, tha Gjikondi.

Protestuesit i kanë bërë thirrje Presidentit Nishani që të mos dekretojë ndryshimet, të cilat ata i cilësojnë antikombëtare.

Në përmbyllje të protestës që zgjati deri në orën 13:15, përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Feruni tha se për mes këtij marshimi qytetarët i treguan politikës shqiptare qëndrimin e tyre.

“Ne sot i treguam politikës shqiptare dhe presidentit se ka një interes popullor në çështjen e menaxhimit ët mbetjeve. Nga politika në vjen një ftesë që të vijnë dhe plehra të tjera në territorin e Shqipërisë, pasi u hoq ligji i 2011. Dhe kjo ka bërë që numri i qytetarëve që kanë protestuar ka qenë i madh. Reagimi qytetar ka qenë i madh në potencën e vet. Hapi i pari është të mos e dekretojë Presidenti. Politika duhet ta votojë kundër me konsensus. Dhe veprimi duhet të jetë në përputhshmëri me atë që do populli. Finale është referendumi”, tha Feruni.

Aktivistët thanë se “Politika para se të reflektojë duhet të mësojë se qytetarët janë të vendosur për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin ku jetojnë. Jo importit të mbetjeve. Ne kemi këtu mjaftueshëm mbetje për të ricikluar”.

Një tjetër aktivist sqaroi se “në nenin 48/1 ka një artificë që në pamje të parë nuk kuptohet që e lejon importin e mbetjeve për efekt të incenerimit, djegien e tyre, por realisht e lejon këtë. Pasi lejohet që të digjen për efekt të prodhimit të një energjie. Por realisht këto mbetje këtu do digjen. Ne e shprehën qartë se çfarë kërkojmë nga të zgjedhurit tanë. Kartoni i kuq ishte për të treguar votën kundër të qytetarëve sa i takon ligjit të mbetjeve. Presidenti ta shikojë si prind dhe si burrë shteti këtë ligj. Ta kundërshtojë ligjin. Dhe me rikthimin e tij në Parlament të bëhen diskutimet e nevojshme. Sërish në fund do të fitojnë qytetarët”.

Protesta erdhi si një ‘revoltë’ fill pas miratimit të ligjit në Kuvend, ndërkohë që opozita ka deklaruar se do të jetë në mbështetje të protestuesve në këtë përballje, sipas Bashës, jo për kauzë politike, por si detyrim qytetar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb