Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” për qytetin e Shkodrës, Bardh Spahia, duke i kërkuar shkodranëve të mos votojnë kandidatin zyrtar të Partisë Demokratike, por ish-deputetin që ka edhe mbështetjen e LSI-së.

Por ajo që ra në sy në aktivitetin e zhvilluar paraditen e sotme, ishte fakti që Berisha ka mobilizuar një tjetër ish-ministër të qeverisë së tij në fushatën e Shkodrës.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i zgjedhur disa herë deputet në Tiranë dhe Elbasan nën siglën e PD-së, i cili ka marrë së fundmi në dorë fushatën e “Shtëpisë së Lirisë” në Shkodër.

Në aktivitetin e sotëm në rresht të parë ishte edhe kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila megjithëse konsiderohej favorite e primareve të zhvilluara nga Berisha, u tërhoq fare papritur nga kandidimi, duke i hapur rrugën Bardh Spahisë.

Arben Imami ka qenë ndër kritikët më të mëdhenj të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sidomos pas lënies jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017.

Pas një heshtje të gjatë, ai u rikthye sërish në vëmendjen e mediave pak kohë më parë ku akuzoi Lulzim Bashën, ish-ministër të Brendshëm, si përgjegjësin kryesor për katër vrasjet e 21 Janarit në bulevardin përballë Kryeministrisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb