Publikohen disa foto me imazhe të rralla që pasqyrojnë varrimin e Ceno beg Kryeziut nga familja e njohur e Kryezijve të Gjakovës që ishte martuar me njërën nga motrat e Ahmet Zogut, me të cilin kishte dhe një djalë, të quajtur Tati. Ceno begu ishte një nga njerëzit që mbështeti rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në dhjetorin e vitit 1924 dhe në qeverinë e krijuar në janarin e vitit 1925, kryeministri Ahmet Zogu, i dha atij postin e Ministrit të Brendshëm. Gjatë kohës që Ceno Begu ishte në atë post, ndodhën vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit, të cilat nuk kaluan pa lënë pasoja në politikën shqiptare, ku opozita e asaj kohe akuzoi kryeministrin Ahmet Zogu, duke thënë që ai kishte urdhëruar Ceno begun për eleminimin e dy politikanëve të njohur.

Pas disa kohësh, Kryeministri Ahmet Zogu i prishi mardhëniet me Ceno begun dhe pasi e shkarkoi nga posti i Ministrit të Brendshëm, e emëroi atë Ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd. Mardhëniet në mes Zogut e kunatit të tij, u ftohën akoma dhe më shumë, për shkak se Ceno begu, thuhet se filloi të ndiqte një politikë pro-jugosllave në dëm të interesave të Shqipërisë dhe vetë Zogut. Pas kësaj, Zogu e emëroi Ceno begun si Ministër fuqiplotë në Republikën e Çekisë, ku pas pak ditësh, ai u vra nga një student shqiptar, i quajtur Alqiviadh Bebi nga Elbasani.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vrasja e tij ndodhi më 14 tetor të vitit 1927 në orën dhjetë të natës, teksa Ceno begu ishte duke hyrë në kafenenë e tij të preferuar “Passage”, që ndodhej në sheshin “Vaclavski Namesit”, studenti shqiptar Alqiviadh Bebi, që ishte futur më përpara aty dhe po pinte i vetëm në tavolinë, e qëlloi disa herë me pistoletë në trup dhe në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, studenti elbasanas nuk u largua dhe personeli i lokalit e kapi dhe i’a dorzoi policisë. Ajo vrasje në atë kohë bëri bujë të madhe dhe u publikua nga shumë gazeta të Europës, të cilat dhanë versione nga më të ndryshmet për motivet e saj, ku nuk munguan dhe akuzat ndaj Zogut, i cili sipas tyre, kishte paguar studentin shqiptar që ta vriste kunatin e tij.

Po kështu shtypi i kohës për atentatin ndaj Ceno begut e akuzonte herë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e herë emigrantët shqiptarë antizogistë që nodheshin në Jugosllavi. Nga disa dëshmi të kohës, thuhet se kryeministri shqiptar Ahmet Zogu, lajmin për vrasjen e Ceno begu e përjetoi rëndë dhe pati një atak nervor kur mori vesh vdekjen e burrit të motrës. Ai qau ditë të tëra para personaliteteve të larta të shtetit shqiptar të asaj kohe që shkonin për t’a ngushëlluar si dhe para vëllezërve të Ceno begut, por e vërteta s’doli kurrë në dritë! Së pari, se në fillim Alqiviadh Bebi pohoi se e kish vrarë vetë, thjesht për motive patriotike dhe pa porosinë e askujt, e së dyti, sepse atë e vranë vetë vëllezërit e Ceno begut në sallën e gjyqit, me anë të Zija Vuçiternit.

Atë ditë që në kryeqytetin çek Pragë, filloi gjyqi ndaj Alqiviadh Bebit, i cili e pranoi se atë vrasje e kishte bërë për motive politike, pasi sipas tij, ‘Ceno Begu kishte tradhëtuar Ahmet Zogun’, ndodhi dhe vrasja e tij brenda në sallën e gjyqit, nga një shqiptar i quajtur Zija Vuçiterni nga Kosova, që shërbente si adjutant i Gani Beut (vëllai i Cenos), i cili e qëlloi disa herë me pistoletë Bebin, që ra i vdekur mbi tavolinën e gjykatësit dhe plumbat e tjerë plagosën edhe një gazetar italian. Zija Vuçiterna e pranoi autorësinë e vrasjes në gjyqin e tij që u zhvillua po në Pragë, duke deklaruar: “Mora hakun e vëllait tim, Ceno begut”. Pas disa ditësh, trupi pa jetë i Ceno beg Kryeziut u soll në Shqipëri, ku atij i’u bë një varrim madhështor në Tiranë, gjë e cila duket edhe nga fotot përkatëse që publikohen për herë të parë nga/Memorie.al