Bark i sheshtë, bel i hollë, buzë të trasha, lëkurë e lëmuar e trup i gjatë…këto janë fotot që shikojmë rëndom të postuara në rrjetet sociale, ku ka shpërthyer gara se cili paraqitet më perfekt, paçka se në rrugë shpesh nuk e njohim njëri-tjetrin.

Vëmendja e tepruar ndaj aparencës se përkryer nuk është një dukuri e shtuar vetëm në Shqipëri, por po bëhet shqetësuese në gjithë botën. Janë personat e famshëm dhe influencerat që po ndikojnë të tjerët, duke iu shkaktuar ankth, mungese vetebesimi e pasiguri të thella në vetvete. Norvegjia bëhet vendi i parë që i kushton vëmendje të posacme kësaj dukurie.

Një ligj i ri në këtë vend detyron influencerat dhe personazhe të njohur të ekranit apo medias, të mos postojnë asnjë foto pa e deklaruar se e kanë modifikuar më parë atë duke i shtuar filtra dhe efekte. Për Fani Alikon, një ndër fotografët më të njohur të shoëbizit shqiptar një ligj i tillë në vendin tonë as mund të imagjinohet

“ Nëse ky ligj do vendoset edhe këtu në Shqipëri le të thëmi, do ishte e vështirë, mendoj se nuk do respektohej, unë jam i mendimit se e kanë vendosur këtë ligj pasi mos të tregohen njerëzit ashtu perfekt siç dalin nëpër foto”,-tha fotografi Fani Aliko për News24.

Fotografi Aliko vëren me trishtim se fotografia origjinale nuk po vlerësohet sa duhet, kur vë re dëshirën për tu transformuar në atë që s’je çdo ditë. Ai e sheh këtë jo vetëm në punën e tij por edhe tek fotot e postuara kudo nëpër rrjetet sociale ku forma, madhësia ose lëkura e trupit ndryshohet ose manipulohet

“Të gjithë njerëzit duan të arrijnë perfeksionin dhe kanë prirje që cdo foto ta editojnë që të duken sa më bukur, sa më mirë e që mos të tregojnë asnjë defekt. Priren psh duan të heqin barkun, hollojnë belin, e bëjnë belin unazë, kur nuk është ashtu, nuk ka lidhje me realitetin fare, fryjnë buzët kur nuk është se i kanë. Vajzat arrijnë atë që kanë në mendjen e vetë se duken, shfaqin goxha pasiguri”,-tha fotografi Fani Aliko për News24.

Editimi i fotove luan rol në pasigurinë sociale, ndërgjegjësimin e keq dhe vetëvlerësimin e ulët por edhe i vendos njerëzit në presionin per tu dukur perfekte. Keshilla e fotografit është e thjeshtë, qëndroni sa më afër realitetit dhe mos kërkoni të jeni tjetërkush. “Vazhdoni editoni fotot por me masë, jasht konceptit vetëm trupi i mirë, editoni me gjëra minimale si drita po ngjyra”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb