Printime fotografish origjinale dhe të firmosura nga libri i famshëm i Madonna-s i vitit 1992 ‘Sex’ do të dalin në ankand për herë të parë në Christie’s në Nju Jork këtë vjeshtë, si pjesë e një serie projektesh të lindura për të festuar 30-vjetorin e publikimit të diskutueshëm.
Në tetor, shkruan CNN në faqen e saj të internetit, mbi 40 printime të publikuara në ‘Sex’ do të dalin në shitje për herë të parë në një ankand special të pavarur.

Çdo printim do të jetë një botim i veçantë dhe do të nënshkruhet nga Madonna dhe fotografi i modës Steven Meisel, i cili shkrepi fotot për librin, me çmime fillestare që variojnë nga 50,000 dollarë deri në 300,000 dollarë. Një pjesë e të ardhurave do të shkojnë për Raising Malawi, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga Maddona në vitin 2006 për të mbështetur jetimët dhe fëmijët vulnerabël në vendin juglindor të Afrikës.

Me 1,500,000 kopje të shitura, “Sex” mbetet një nga librat më të shitur të fotografisë ndonjëherë, pavarësisht skandalit të ngritur pas publikimit të tij në fillim të viteve 1990. Përveç Madonna-s, në të shfaqen reperi Vanilla Ice, i dashuri i saj në atë kohë dhe yje si supermodelja Naomi Campbell dhe kuratorja e artit Tatiana von Fürstenberg. Vatikani kishte sugjeruar në atë kohë bojkotimin e librit, i cili ishte i ndaluar në vende si Irlanda dhe Japonia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: