Faqja më e vizituar e arkitekturës në botë www.archdaily.com i ka kushtuar një artikull të veçantë projektit ambicioz të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollave të reja.
Në intervistën e dhënë për këtë faqe të njohur, arkitekti Stefano Boeri thekson se shkollat e reja do të qëndrojnë të hapura 24 orë në ditë, në çdo ditë të vitit, duke i shndërruar ato në qendra të rëndësishme sociale për banorët e të gjitha moshave. Ndërsa menaxherja e projektit Francesca Cesa Bianchi i përshkruan shkollat si “epiqendrat e reja ” lokale ku do të plotësohet jeta publike e zonës: “Shkollat tona do të jenë sheshet e reja urbane të lagjeve tona, të përdorura nga studentët gjatë orëve të shkollës dhe nga komuniteti gjatë fundjavave dhe festave”.

Artikulli i plotë i faqes më të vizituar të arkitekturës në botë rreth shkollave të reja në Tiranë:
Arkitekti Stefano Boeri projekton 3 shkolla në Tiranë që do të jenë të hapura 24 orë në ditë
Arkitekti Stefano Boeri ka zbuluar projektet e 3 shkollave të reja inovative që do të ndërtohen në Tiranë, Shqipëri, të cilat do të qëndrojnë të hapura 24 orë në ditë, në çdo ditë të vitit, duke i shndërruar ato në qendra të rëndësishme sociale për banorët e të gjitha moshave.
Tre strukturat e reja do të integrohen me masterplanin fitues për Tiranën të arkitektit Stefano Boeri, të pozicionuara në nyjet kryesore sociale të lagjeve në pjesën veriperëndimore të kryeqytetit shqiptar: si në lagjet e “Don Boskos”, “Kodër-Kamëz” dhe Sheshi “Shqiponja”.

Shkollat multifunksionale do të vendosen brenda secilës prej tre strukturave, të cilat gjithashtu do të përfshijnë hapësira për takime sociale, të hapura për të gjithë komunitetin. “Shkolla duhet të jetë e hapur për një ritëm të ri jetese”, shpjegon Stefano Boeri. “Duhet të jetë një vend aktiv çdo orë të ditës, çdo ditë të vitit, për të gjithë, në çdo moshë: gjyshërit, të rinjtë, shoqatat lokale, ndërmarrjet krijuese, institucionet. Shkolla e hapur, është zemra e shoqërisë sonë, që rreh me jetën që rrjedh brenda dhe rreth saj.”. “Shkolla e re do të mirëpresë takime, diskutime, aktivitete për shoqatat pa seli. Do të hapë dyert për ata që kërkojnë një hapësirë për të filluar një ndërmarrje sociale dhe kulturore, do të mirëpresë klube librash dhe kurse të organizuara për të eksploruar thellësitë më intriguese, më fantastike dhe më ekstreme të njohurive “.

Shkollat e reja do të përdorin materiale tradicionale që gjenden në Tiranë – tulla të kuqe dhe çimento të bardhë – dhe do të mbulojnë një sipërfaqe totale prej 29,609 metra katrorë. Kompleksi i shkollës “Don Bosco” do të përfshijë çerdhe, klasa parashkollore, shkolla 9-vjeçare dhe të mesme (9,812 metra katrorë); Kompleksi i Shkollës në Kodër-Kamëz, përmban çerdhe, klasa parashkollore, 9-vjeçare dhe të mesme (11,898 metra katrorë); dhe Kompleksi i Shkollës te sheshi “Shqiponja”, çerdhe, klasa parashkollore dhe 9-vjeçare (7,898 m2). Menaxherja e projektit Francesca Cesa Bianchi i përshkruan shkollat si “epiqendrat e reja ” lokale ku do të plotësohet jeta publike e zonës: “Shkollat tona do të jenë sheshet e reja urbane të lagjeve tona, të përdorura nga studentët gjatë orëve të shkollës dhe nga komuniteti gjatë fundjavave dhe festave”.

`3

1

2

4

5
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: