Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë fjalë kritike ndaj presidentit të El Salvadorit, pasi ai ka publikuar disa foto tronditëse të disa anëtarëve të bandave në vend, që janë shumë pranë njëri-tjetrit, edhe pse jemi në kohë pandemie.
Jo vetëm kaq, por të burgosurit janë veshur vetëm me të brendshme e keqtrajtohen nga drejtuesit e burgut. Imazhet e publikuara të hënën në llogarinë në “Twitter” të presidentit të El Salvador Naiyb Bukele, bien ndesh me masat e marra së fundmi në lidhje me pandeminë e Covid-19, si dhe me respektimin e masave ndaj virusit vrasës, raportojnë mediat e huaja.
Bukele ka dhënë urdhëra të ashpra ndaj banditëve të dyshuar, duke përdorur shpesh edhe dhunën policore ndaj tyre. Bukele po vepron kësisoj, edhe pse Gjykata Supreme e vendit ka deklaruar se duhet respektuar masa e distancimit social në pandemi, edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit. Jose Miguel Vivanco, drejtor ekzekutiv i të Drejtave të Njeriut për Amerikën tha se El Salvadori mund të rrëshkaqë në autokraci, pasi në shumë raste vepron në kundërshtim me vendimet e fuqive globale.
Vivanco tha për Reuters se është detyrë e institucioneve të vendit, që El Salvadori të mos jetë një tjetër diktaturë në rruzull. Vivanco deklaroi se Amerika dhe BE duhet të reagojnë më shumë për situatën në shtetin e El Salvador, ku kriminaliteti ka një rritje të theksuar. Bukele edhe më herët ka hedhur poshtë kritikët nga grupet e të drejtave të njeriut dhe nga ana e kundërshtarëve politikë, duke u shprehur se po mbron qytëtarët e El Salvador, e duke shtuar se paraardhësit e tij kanë qenë të korruptuar.
Ai gëzon mbështetje të gjerë në popullin e tij prej 6.5 milionë banorë, që “është përmbytur nga kriminaliteti”, që kur shteti doli nga lufta civile e vitit 1992. Rreth 12 862 anëtarë bandash janë në burg në shtetin e El Salvadorit. Drejtoresha e Amnesty International për Amerikën, Erika Guevara, tha se situata ishte “shqetësuese”.
(dionis xhafa/ Balkanweb)