Deputeti Tom Doshi ka qenë sot në Gjykatë, i thirrur si dëshmitar për çështjen e ish-kolegut të tij Mark Frroku, i cili akuzohet për disa vepra penale, mes tyre edhe akuza e ndërtimit të paligjshëm.

Përpara trupit gjykues ndryshe nga sa pritej, Tom Doshi ka surprizuar me qëndrimin e tij, duke shfajësuar ish-mikun e tij Mark Frrokun për hotelin që i ka shitur në rrugën e Durrësit, duke u shprehur se në hotel Frroku nuk ka bërë shtesë pa leje.

“Kam pasur një kontratë shitblerje me Mark Frrokun, të cilit i kam shitur një hotel në rrugën e Durrësit. Në hotel nuk ka patur asnjë shtesë, kati i fundit ka qenë i legalizuar”.

Doshi është thirrur si dëshmitar i prokurorisë në procesin ndaj Mark Frrokut i akuzuar për vrasje, fshehje të të ardhurave dhe ndërtim të paligjshëm. Prokuroria ka kërkuar disa herë dëshminë e deputetit Doshi për akuzën e ndërtimit të paligjshëm ndaj ish-deputetit Mark Frroku.

Tom Doshi dhe Mark Frroku janë të bashkëpandehur në një tjetër proces, ku akuzohen për inskenimin e një tentative vrasjeje ndaj deputetëve Mhill Fufi dhe vetë Tom Doshit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: