TIRANË- Policia e Tiranës ka arritur të zbulojë një sasi të madhe armësh dhe municionesh në një banesë në malin e fshatit Kllojkë, rreth 1 orë e 30 minuta larg kryeqytetit, ku gjithashtu janë sekuestruar edhe 80 kg kanabis sativa e tharë dhe e presuar.

Policia ka vënë në pranga një të moshuar 78-vjeçar dhe nusen e djalit të tij 41 vjeçe, ndërkohë që ka shpallur në kërkim djalin e tij 41-vjeçar.

Gazetarja Doriana Bezat tha për “Balkanweb” se armatimi është klasifikuar i rëndë nga policia: 4 automatikë kallashnikov dhe 2 pushkë; si dhe droga janë gjetur të groposura në tokë.

Operacioni është zhvilluar nga forcat e Komisariatit numër 1, të cilat kanë qenë në ndjekje të poseduesve të armëve dhe drogës pas informacioneve të marra në rrugë operative.

NJOFTIMI I POLICISË
Sot më datë 12.07.2016, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 1, bënë të mundur finalizimin e operacionit “Kllojka”, ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1. Xhelal Biraçi, 78 vjeç, banues në Tiranë.
2. Shahe Biraçi, 41 vjeçe, banuese në Tiranë.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit:
– G. Biraçi, 41 vjeç, banues në Tiranë

Kapja në flagrancë e këtyre shtetasve u bë pas informacionit të marrë se në banesën e tyre ka municion luftarak. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre në fshatin “Kllojkë”, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 3 armë zjarri automatik, model 56.
– 1 armë zjarri automatik, model 54 (sharrs).
– 2 armë zjarri pushkë, model 63.
Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi bime e dyshuar narkotike e llojit “Cannabis Sattiva”, me peshë rreth 80 kg si dhe një peshore elektronike që shërbente për peshimin e kësaj bime.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Nenet 278-25 dhe 283-25 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: