KORÇË- Zjarri në qendrën kulturore “Dhimitorë Orgocka” ose e njohur ndryshe si kinemaja e qytetit të Maliqit është rindezur sërish. Pas riaktivizimit të vatrës godina vazhdon të digjet.

Dy mjete zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave nga gazetarja Ledjona Xheladinaj, është i vështirë neutralizimi i flakëve për shkak se zjarri është brenda godinës.

Të vetmet që kanë mundur të shpëtohen janë instrumentat muzikore, ndërsa godina është shkrumbuar totalisht. Policia dhe zjarrfikësit po punojnë për të përcaktuar shkakun e aktivizimit të zjarrit, që konfirmohet se është aksidental, nga një shkëndijë elektrike.

KRYEBASHKIAKU: DËMI KOLOSAL
Pas ngjarjes ka reaguar kreu i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu, i cili thotë se dëmi është kolosal dhe i ka bërë thirrje qeverisë për të ndihmuar në ringritjen e saj.

“Flakët janë konstatuar nga roja rreth orës 03:30. Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë pavarësisht amortizimit të mjeteve ka bërë të pamundurën. Godina është ndërtuar prej vitit 1952 dhe është e tëra e ndërtuar me dru çka e bën të vështirë shuarjen e flakëve. Dëmi është kolosal. Humbje morale, historike e kulturore. I bëj thirrje qeverisë për të na ndihmuar t’i kthejmë sërish Maliqit këtë godinë me të cilën identifikoheshim”, tha Topçiu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: