TURQI- Ambasadori rus në Turqi është vrarë nga një atentat pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur në Ankara, ku ambasadori Andrey Karlov është sulmuar nga persona të paidentifikuar dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital. Megjithëse nga informacionet e para u bë me dije se kishte mbetur i plagosur, ai ka humbur jetën në spital për shkak të plagëve të marra.

Një fotograf i Associated Press tha se diplomati rus është qëlluar ndërsa ndodhej në një ekspozitë fotografish të titulluar “Rusia e parë nga turqit”.

Sipas raportimeve, ambasadori rus që ndodhet në Turqi që prej vitit 2013 ka humbur jetën në spital me gjithë ndërhyrjen e mjekëve. Ai ka qenë duke mbajtur një fjalim kur është qëlluar pas shpine. Tre persona të tjerë raportohet se janë plagosur.

Sipas CNN turk, të shtënat me armë kanë vijuar për disa minuta, ndërsa autori më pas është vrarë nga policia.

POLICIA TURKE: VRASËSI I AMBASADORIT TURK ISHTE MBËSHTETËS I GYLEN
Policia turke ka njoftuar se polici, Mevlut Mert Altintash, i cili vrau ambasadorin rus në Ankara, Andrey Karlov, është mbështetës i organizatës Feto të Fetullah Gylen, armikut numër një të presidentit Erdogan.

AUTORI I VRASJES SË AMBASADORIT RUS ËSHTË NJË POLIC
Mediat turke kanë publikuar pamjet e personit që qëlloi diplomatin rus Andrey Karlov. Sulmuesi që kreu atentatin është polic. Ai është identifikuar si Mevlut Mert Altintash, oficer i Policisë nga Ankaraja.

Ai është dëgjuar duke bërtitur “Mos e harroni Aleppon, mos e harroni Sirinë” dhe ka përdorur shprehjen islamike “Allahu Ekber” (Zoti është i madh). Gjithsesi informacionet janë ende konfuze.

58580d3dc03c0e1a0c14420b

Turqia ka kaluar disa sulme terroriste vitin e fundit, për të cilat qeveria ka fajësuar militantët kurdë.

Megjithatë ka dyshime se edhe militantët e ISIS veprojnë në këtë vend. Sulmi vjen pas ditësh të tëra proteste në Turqi kundër rolit të Rusisë në konfliktin sirian.

Rusia dhe Turqia kanë patur një marrëdhënie intensive kohët e fundit dhe të dyja kanë mbështetur fraksionet rivale në konfliktin sirian.

Gjithsesi, pasi përplasjet mes dy vendeve arritën kulmin kur Turqia qëlloi një avion rus në vitin 2015, Ankaraja dhe Moska kanë bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb