Nga AURORA KOROMANI*

U ngritëm të tmerruar. Nuk e dinim se çfarë po ndodhte, menduam se do vdisnim”. Ky është rrëfimi i Donikës, vajzës e cila jeton prej pak kohësh sipër farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, në të cilën mëngjesin e djeshëm ishte vendosur një sasi tritoli prej afro 400 gramësh lëndë eksplozive. E trembur, 33-vjeçarja na tregon shkurtimisht minutat e ankthit që ajo dhe familja e saj kanë përjetuar në momentet e shpërthimit. “Ishim në gjumë kur dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. Duhet të ketë qenë ndoshta ora 3. Menduam se do të vdisnim në atë moment, sepse shpërthimi ishte shumë i fuqishëm. Pas kësaj vëllai lajmëroi policinë, e cila ka ardhur shumë shpejt”, – pohon banorja e cila prej disa kohësh banon sipër farmacisë së Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Eksplozivi ishte vendosur në kondicionerin e farmacisë, ndërkohë që dëmet ishin shumë të mëdha, jo vetëm te farmacia, por edhe te bizneset dhe lokalet përreth farmacisë. Pronari i një fast-food-i që ndodhet ngjitur me farmacinë ku ndodhi shpërthimi, pohon se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të vendosura në biznesin e tij, por nuk ka dijeni nëse kamerat ishin funksionale në momentin e shpërthimit apo jo. Ndërkohë, punonjëset e farmacisë të pyetura nga “GSH”, nuk pranojnë të komentojnë mbi ngjarjen.

Në shtëpinë e babait të ministrit
Vetëm 30 metra larg shtëpisë së babait të ministrit të Brendshëm, policia ditën e djeshme gjeti një pako të mbështjellë me natriban, brenda së cilës kishte afro 400 gramë lëndë eksplozive, e vendosur pranë një stacioni autobusi. Burime pranë grupit hetimor kanë dyshime se edhe kjo sasi lënde eksplozive ka qenë për familjen Tahiri, për shkak të distancës nga banesa e babait të ministrit të Brendshëm, por edhe për shkak të dyshimeve se pranë vendit ku është gjetur lënda eksplozive, Bashkim Tahiri parkonte automjetin e tij. “Gazeta Shqiptare” ka qenë ditën e djeshme në banesën e babait të Saimir Tahirit, por në apartamentin që ndodhet pranë kryqëzimit të rrugës “Vasil Shanto”, nuk kishte njeri. Ndërsa, banorët e pallatit e shohin çdo person që hyn dhe del nga pallati me frikë dhe sigurohen derisa “të huajt” të dalin jashtë, për shkak të frikës së vendosjes së ndonjë bombe poshtë dyerve të tyre. Burime pranë policisë sqarojnë se, pas ngjarjes policia ka marrë në mbrojtje dy prindërit e ministrit të Brendshëm, Bashkim dhe Luiza Tahirin, ndërkohë që masa të rrepta sigurie janë zbatuar edhe në banesën e ministrit, në zonën pranë Kodrës së Diellit. Sipas urdhrit më të fundit të shefit të Gardës së Republikës, banesa e Tahirit do të ruhet jo më me një gardist, por me dy në turn. “Neës 24” ka arritur të sigurojë pamjet filmike të gardistëve në hyrje të pallatit ku jeton ministri Tahiri. Ndërkohë, e gjithë zona nga pjesa e poshtme e tunelit të Unazës së Madhe të Tiranës te “Komuna e Parisit”, deri te zona mbi selinë e qendrës “Leonorë”, patrullohet nga shërbime në këmbë dhe me autopatrullë të Komisariatit Nr.1 dhe 2 të kryeqytetit, si dhe në pjesët e tjera të kryeqytetit janë shtuar masat e uniformave blu.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: