Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e re të Francës, znj. Elisabeth Barsacq, me rastin e fillimit të mandatit të saj në Shqipëri.

Pasi i shprehu urimet Ambasadores Basacq për detyrën e re, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira politike me Francën, e cila është një partner strategjik i Shqipërisë.

Nënshkrimi i dokumentit të Partneritetit Strategjik në mars 2017, është një hap para në marrëdheniet midis të dy vendeve.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në procesin e reformës që synon integrimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria e vlerëson dhe mbështetet në bashkëpunimin me Francën për të përmbushur standartet dhe detyrimet e procesit të integrimit dhe për të ndërtuar një vend europian, të denjë për familjen europiane. Shqipëria i është mirënjohëse Francës për rolin e saj proaktiv në procesin e Berlinit, duke nxitur bashkëpunimin rajonal, sidomos për mbështetjen e zhvillimeve rinore. Bashkëpunimi ynë me Francën mbështetet në ndjenjat e hershme të respektit e miqësisë së popullit shqiptar për Francën, si vendi i lirive, dhe për popullin francez.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Elisabeth Barsacq, pasi e falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe kontributin e Ambasadës së Francës në Tiranë, në mbështetje të këtij bashkëpunimi, vuri në dukje se “Franca do të bëjë ç’është e mundur që Shqipëria t’i bashkohet familjes europiane dhe Ambasada e Francës në Tiranë do të rrisë kontributin për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.”

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Ambasadorja e Francës, znj. Barsacq, biseduan edhe për bashkëpunimin parlamentar midis të dy vendeve, për ecurinë e reformave në Shqipëri, të reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe ecurinë e procesit të integrimit europian, pas vendimit të Këshillit Europian për celjen e negociatave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb