Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilat kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, përkushtimin ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto tri vende, të cilat ndryshe edhe quhen “Trekëndëshi i Vajmarit”, përveç thirrjes për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën, në deklaratën e së premtes kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Lidhur me këtë, kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se mirëpret riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së.

“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit. Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët”, ka shkruar Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb