Gjykata e Lartë e Francës rrëzoi sot përfundimisht kërkesën për ekstradim të dhjetë ish-terroristëve italianë që jetojnë prej shumë vitesh në qytetet franceze. Kërkesa e paraqitur nga autoritetet italiane u mbështet nga qeveria franceze. Pas vendimit negativ të Gjykatës së Apelit të Parisit, Prokurori i Përgjithshëm i Parisit apeloi në Gjykatën e Lartë të vendit.

Refuzimi i ri përfundimtar i kërkesës bazohet, siç u zbulua, në faktin se ish-terroristët u dënuan në gjyqe të zhvilluara në Itali pa qenë prezent dhe në faktin se në Francë tashmë kanë krijuar një realitet të përhershëm profesional dhe familjar. Pjesa më e madhe e tyre janë ish-anëtarë të Brigadave të Kuqe të dënuar me vendime të formës së prerë nga drejtësia italiane. Mes tyre Giovanni Alimondi, Enzo Calviti, Marina Petrella dhe Roberta Capelli.

Siç nënvizon gazeta Corriere della Sera, “ky vendim është një disfatë për autoritetet italiane por edhe për ato franceze, të cilat kishin dhënë “dritën jeshile” më 27 prill 2021 për arrestimin e dhjetë ish-terroristëve, me operacionin “hijet e kuqe””.

Duke komentuar vendimin, gazetari italian Mario Calabresi (djali i një shefi policie të vrarë nga terroristët) tha: “Gjyqtarët e justifikuan vendimin e tyre duke thënë se dhënia e ekstradimit do të shkaktonte një dëm joproporcional për dhjetë të dënuarit. Por mendoni për dëmin joproporcional të shkaktuar nga ata që vranë baballarë dhe burra të pafajshëm të familjes. Asnjë prej tyre nuk shqiptoi asnjë fjalë të vetme pendimi, solidariteti apo dëmshpërblimi”.

“Vendi im bëri gjithçka që mundi. Falënderova kolegun tim francez, i cili na qëndroi pranë dhe në mendimet e mia në këtë moment jam në krah të familjeve të viktimave”, nënvizoi nga ana e tij ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb