Ambasada e Francës në Prishtinë përmes një përgjigjeje të dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se taksa 100 për qind, e vendosur para më shumë se tre muajsh ndaj produkteve serbe, duhet të pezullohet ose të hiqet.

Por pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për pezullimin e taksës, kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të zotohet se taksa nuk hiqet pa pasur paraprakisht një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka nxitur reagime të shumë shteteve të fuqishme të botës, të cilat po vazhdojnë të kërkojnë heqjen ose pezullimin e kësaj tarife. Një gjë të tillë tashmë e ka kërkuar edhe Franca.

Zyrtarë të Ambasadës së Francës në Kosovë shprehen se qëndrimi i tyre rreth kësaj çështjeje është më se i qartë, që masa ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake duhet të pezullohet ose të hiqet. Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në mënyrë të pareshtur janë duke kërkuar pezullimin e tarifës prej 100 për qind. Si pasojë e barrikadimit të Qeverisë kundër heqjes së taksës SHBA-ja madje ka nisur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb