Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari, në Paris, nënshkruan Marrëveshjen për fillimin e bashkëpunimit me Michel Rouzeau, Inspektor i Përgjithshëm i Administratës në Francë – IGA.

Në kuadër të bashkëpunimit disa mujor midis Inspektoratit Qendror të Republikës së Shqipërisë dhe Inspektoratit të Përgjithshëm të Administratës së Francës, me ftesë të Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës Michel Rouzeau, prej disa ditësh po kryen një vizitë në Francë Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Qëllimi i kësaj vizite, është njohja nga afër e organizimit dhe e funksionimit të Inspektoratit të Përgjithshëm të Administratës Franceze – IGA, organizimi dhe funksionimi i Inspektorateve Teknike, Shtetërore Franceze, si dhe mënyra e ndërveprimit të Inspektoratit Qendror Francez me Inspektoratet e tjera.

Fillimisht, u zhvilluan takime njohëse e prezantuese në Shkollën Franceze të Administratës – ENA, me Drejtorin e Shkollës Patrick Gerard, si dhe me Peirre Thenard, Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë të ENA-s.

Po kështu, u zhvilluan takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë Bruno Verlon, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar organizimin e Inspektorateve shtetërore.

U zhvilluan takime në Inspektoratin e Punës, me Laurent Vilboeuf, Inspektoratin e Përgjithshëm të Çështjeve Sociale, Nathalie Destais, Inspektoratin e Doganave, Francois Richard, Inspektoratin e Konkurrencës Mbrojtjes së Konsumatorit, (Philippe Sage Vellier), Inspektoratin e Ushqimit Alain Moulinner, me Drejtorin e Drejtorisë së Antikorrupsionit të Republikës së Francës Charles Duchaine etj.

Në datën 6 Tetor u zhvillua një takim i gjatë pune dy-palësh midis Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës. Inspektori i Përgjithshëm i IGA, Michel Rouzeau shprehu vlerësimin e tij për kryerjen online të inspektimeve me dokumente standarde e lista verifikimi të unifikuara nga ana e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë, duke theksuar se mbështetja ligjore e procedurale e kësaj mënyre inspektimi nga ana e IGA do ta kthejë sistemin e inspektimeve në Shqipëri model, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të takimit drejtuesit e këtyre dy institucioneve ranë dakord për fillimin e një bashkëpunimi afatgjatë, për marrjen dhe implementimin e përvojës Franceze në fushën e Inspektimeve në Republikën e Shqipërisë, sipas standardeve e kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian. Fushat kryesore të këtij bashkëpunimi do të jenë:

Hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, të nevojshme për zbatimin e versionit të ri të ligjit të lartpërmendur, në përputhje me legjislacionin acquis Europian;Evoluimi i statusit të inspektorit, procedurat e rekrutimit dhe administrimit të tyre, si dhe çështjet lidhur me pagat;Trajnimi i stafit të inspektimit me praktikat e bashkëpunimit të tyre me biznesin, të zbatuara nga IGA;Mbajtja e kontakteve të krerëve të Inspektorateve Shtetërore me korrespondentët e tyre teknik në Francë.

Të dy Inspektorët e Përgjithshëm nënshkruan marrëveshjen, për fillimin e bashkëpunimit duke përcaktuar fushat konkrete ku do të bashkëpunohet për reformimin strukturor dhe ligjor të Inspektorateve Shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Finalizimi i këtij bashkëpunimi do të realizohet me vizitën e Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës në Tirane, Michel Rouzeau.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb