Ish-trajneri i ekipit Kombëtar të Francës në vitet 1976-1984, Mishel Hidalgo, është shuar këtë të enjte pak pas mesdite në Marsejë. Të dielën e shkuar pat festuar 87-vjetorin e lindjes, ndërsa mediar franceze raportojnë se ka vdekur për shkak të një sëmundjeje të gjatë, që e pat dobësuar shumë dhe jo prej pandemisë së koronavirusit.

Me shuarjen e tij mbyllet një nga kapitujt më të bukur të futbollit francez. Si trajner i Francës ai fitoi kampionatin europian të vitit 1984 dhe luajti një gjysmëfinale botërori në Spanjë, ku u eliminua nga Gjermania pas 11-metërshave.

Në krye të një gjenerate të artë, Hidalgo krijoi një ekip bazuar te loja e bukur, ku kryefjala ishte “kënaqësia”, duke u mbështetur te kuadradi magjik Platini-Zhires-Tigana-Zhenzhini (më pas Luis Fernandez).

Bir i një sipërmarrësi spanjoll, ai lindi në Lefrinkuk, në skajin më verior të Francës dhe e nisi karrierën si lojtar te Lë Havri përpara se të bashkohej me Reimsin e Rajmond Kopas, ku fitoi titullin kampion në Francë dhe humbi finalen e parë të Kupës së Kampioneve përballë Realit të Di Stefanos. Karrierën si lojtar e mbylli te Monako, ku fitoi dy tituj të tjerë kampionë dhe dy Kupa të Francës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb