Ambasadorja franceze Christine Vasac gjatë një vizite në Korçë u pyet mbi metodologjinë e zgjerimit që po përdor Franca. Vasac tha se Makron ka folur qartë, ndërsa shtoi se Franca nuk është në parim kundër integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë.

“Përsëris mendimin e presidentit francez Emanuel Makron. Ideja është që duhet ndërmarrë iniciativë që të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE, si për anëtarët , ashtu edhe për vendet jo-anëtare. Franca thjesht ka një qasje të re. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka thjesht disa interpretime jo të sakta nga njerëz, që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Dera është e hapur. Mirëpo duhet qësë pari reformat të vazhdojnë e të ketë rezultate konkrete. Nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre. Kjo kërkon vullnetin e të gjitha forcave politike në Shqipëri”, tha Vasac.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri Christine Vasac u pyet edhe për takimin e sotëm për mini-Shengenin ballkanik. Ajo tha se takimi vijon e shtoi se forcimi i marrëdhënieve fqinjësore mes shteteve të Ballkanit i shërben paqes e zhvillimit.

“Takimi vazhdon akoma. Nuk mund të ketë një opinion në lidhje me diçka, për të cilën nuk dihet saktë se çfarë është. Analizën mund ta bëjmë pasi të kuptohen mirë vendimet që merren. Forcimi akoma më tej i marrëdhënieve fqinjësore mes shteteve ballkanike ëhstë i mirëpritur. Mendoj se ky është sot frymëzimi mes bashkëbiseduesve në këtë mini-shengen. Nuk ka arsye pse t’i kundërvihet Shqipërisë rrugëtimi drejt Europës, për një iniciativë , e cila është e vendeve në Ballkan”, deklaroi ambasadorja franceze në vendin tonë Vasac.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb