Franca po kërkon të ndërtojë më shumë termocentrale të reja sesa ishte paralajmëruar më parë në zgjerimin e planifikuar të energjisë bërthamore.

“Fillimisht po flasim për gjashtë reaktorë, ndërkohë që tetë të tjerë janë duke u shqyrtuar”, tha ministrja franceze e Energjisë, Agnès Pannier-Runacher për të përditshmen e biznesit ”Les Echos”.

“Por, unë i bëra qartë industrisë këtë pyetje: A mund të shkoni përtej 14 reaktorëve deri në vitin 2050?”, tha ajo.

Ajo shtoi se industria duhet së pari t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

“Përzierja jonë e energjisë duhet të marrë parasysh realitetin, shkencën si dhe realitetet industriale dhe nuk duhet të bazohet në ideologji të thjeshtuara”, theksoi ministrja.

“Arritja e neutralitetit të CO2 deri në vitin 2050 kërkon që ne të prodhojmë masivisht më shumë energji elektrike”, tha Pannier-Runnacher.

“Më duhet t’i paraqes parlamentit kufizimet fizike që lidhen me këtë kapacitet të ri prodhimi për të sqaruar se sa larg mund të shkojmë teknikisht deri në vitin 2050 për sa i përket diellit, erës detare dhe bërthamore për të bërë zgjedhjet më të mira për përzierjen e energjisë”, shtoi ajo.

Franca dëshiron të vazhdojë të mbështetet ndjeshëm në energjinë bërthamore për furnizimin e saj me energji.

Presidenti Emmanuel Macron njoftoi një “rilindje të fuqisë bërthamore franceze” një vit më parë.

Franca është prodhuesi i dytë më i madh i energjisë bërthamore në botë pas SHBA-së dhe aktualisht ka 56 termocentrale bërthamore.

Parlamenti francez po debaton aktualisht një ligj për të përshpejtuar ndërtimin e centraleve të reja bërthamore.

Ndërtimi i reaktorëve të parë të rinj është planifikuar të fillojë në vitin 2027.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb