PARIS

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire tha se grevat e nisura kundër reformës së pensioneve dhe të cilat vazhdojnë që prej 41 ditësh do të kenë ndikim të kufizuar në ekonominë e vendit.

Në një deklaratë për kanalin “CNews”, lidhur me reformën e pensioneve që ka shkaktuar greva dhe prostesta në vend, Le Maire ka mbrojtur idenë e tij se reforma e pensioneve do të sjellë një sistem të drejtë. Ai kritikoi ata që janë kundër reformës duke shtuar se sindikatat duhet të arrijnë një dakordim me qeverinë.

“Ndikimi i grevave ndaj ekonomisë së vendit do të jetë i kufizuar”, tha Le Marie duke mbrojtur idenë se ekonomia e vendit të tij është e fortë dhe ka kapacitetin për të kapërcyer këtë krizë.

Sipas lajmeve në shtypin francez, restorantet dhe hotelet në Paris kanë pësuar një dëm prej rreth 740 milionë euro për shkak të grevave.

Grevat gjithashtu shkaktojnë një dëm prej 20 milionë euro në ditë ndaj Kompanisë Kombëtare Hekurudhore të Francës (SNCF), ndërsa humbjet totale të kompanisë deri më tani kanë arritur në 820 milionë euro.

Reagimet ndaj reformës së pensioneve

Grevat që kanë filluar në Francë kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron vazhdojnë në ditën e tyre të 41-të. Me ndërprerjet serioze në shërbimet publike, të shëndetësisë dhe transportit, ato paralizojnë jetën e përditshme në vend.

Që nga 5 dhjetori e deri më tani në ditë të ndryshme në të gjithë vendin dhe kryesisht në Paris janë zhvilluar shumë protesta kundër reformës. Gjatë prostestave të cilat herë herë shdërrohen në dhunë janë plagosur edhe fotoreporterët e AA-së, Mustafa Yalçın dhe Dursun Aydemir si pasojë e ndërhyrjes së policisë.

Kryeministri francez, Edouard Philippe, ka deklaruar tërheqje të përkohshme nga zbatimi i reformës së pensioneve e cila parashikon që punëtorët të përfitojnë pension të plotë në moshën 64 vjeçare.

Ndërkohë që qeveria e Macronit insiston për zbatimin e reformës, sindikatat kërkojnë tërheqjen e reformës.

Sindikatat në vend kanë bërë thirrje për zhvillimin e protestave në të gjithë vendin më 16 janar kundër reformës së pensioneve.

Sipas një sondazhi të zhvilluar kohët e fundit, 75 për qind e francezëve duan tërheqjen ose ndryshimin e reformës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb