Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një letër që i ka dërguar presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka përcjellë pritshmërinë e kthimit të stabilitetit në kontinentin europian në vitin 2021 edhe me kontributet e Turqisë.

Sipas lajmit special të gazetës ”L’Opinion”, bëhet e ditur se Macron ka përdorur deklarata të sinqerta në përgjigjen ndaj letrës që Erdogan i ka shkruar atij më 19 dhjetor, kur ai ishte i prekur nga COVID-19.

Në letrën e tij, që fillon me shprehjen turqisht “Değerli Tayyip” (”I nderuar Tayyip”), presidenti francez ka përcjellë urimet më të mira për popullin turk dhe presidentin Erdogan.

Macron ka thënë se i bashkohet mendimit të Erdoganit se kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nevojitet luftë e përbashkët dhe se do të jetë i kënaqur për të biseduar për këtë çështje dhe veçanërisht për të ardhmen e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Turqisë.

“Shpresoj që viti 2021 të jetë viti i kthimit të stabilitetit në kontinentin europian me kontributet pozitive të Turqisë”, ka theksuar në letër Macron.

Po ashtu bëhet e ditur se dy liderët do të zhvillojnë së shpejti një takim nëpërmjet video-konferencës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb