Franca i kërkoi Turqisë të shmanget nga çdo operacion ushtarak pas tërheqjes së SHBA-së nga Siria, që do të kontribuonte në ringjalljen e grupit Shteti Islamik (IS), dhe bëri thirrje për mbajtjen e xhihadistëve të huaj në kampe të kontrolluara nga kurdët, në verilindje të vendit.

“Ne i bëjmë thirrje Turqisë të mos ndërmarrë një iniciativë që do të binte në kundërshtim me interesat e Koalicionit Global kundër ISIS. Mbajtja në burg e xhihadistëve europianë në Sirinë verilindore është një domosdoshmëri për sigurinë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kjo deklaratë i bashkëngjitet asaj të Bashkimit Europian, që është kundër ofensivës së Turqisë në verilindje të Sirisë, sepse një rifillim i armiqësive do të dëmtonte përpjekjet e ndërmarra për zgjidhjen e këtij konflikti.

“Çdo rifillim i armiqësive do të rrisë vuajtjet e popullit sirian, do të shkaktojë zhvendosje të popullsisë dhe do të dëmtojë përpjekjet politike të ndërmarra për zgjidhjen e këtij konflikti”, tha Maja Kocijançiç, zëdhënëse e diplomacisë europiane.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi sot se një ofensivë turke mund të ndërmerrej në çdo moment në veri të Sirisë, pasi Uashingtoni njoftoi se nuk do ta kundërshtonte një operacion të tillë kundër një milicie kurde.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb