FRANCE – Dhjetëra myslimanë janë mbledhur në mënyrë simbolike për të mbrojtur një kishë në veri të Francës gjatë meshës së mesnatës për Krishtlindjet.

“Është shumë normale që myslimanët të respektojnë besimet e tjera dhe ky gjest i fortë që nderon të gjithë myslimanët tregon se ata janë përkrah bashkëqytetarëve tanë pas atentateve në Paris”, – deklaroi presidenti i Federatës të Shoqatave Myslimane në rajon, Abdelkader Aoussedj.

Kjo iniciativë e pazakontë, organizuar në kishën e Lensit ishte ndërmarrë nga unioni i qytetarëve myslimanë të Pas-de-Calais dhe kishte si qëllim për t’i dhënë një tjetër imazh myslimanëve.

“Dëshirojmë që kjo të bëhet kudo, kryesisht në këtë periudhë kur myslimanëve iu drejtohet gishti. Ky është islami i vërtetë, ai nuk ka të bëjë fare me këto çmendurira”, – shtoi Aoussedj.

Ky veprim u vlerësua në mënyrë të veçantë nga rreth 200 besimtarë të ardhur për të marrë pjesë në meshë.

Pas atentateve në Paris më 13 nëntor, atentatet më të rënda të kryera ndonjëherë në Francë me 130 të vdekur, Krishtlindjet u kremtuan këtë vit nën masa të larta sigurie dhe me frikën e një sulmi tjetër xhihadist.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: