Franca ka garantuar se do t’i ofrojë mbështetjen e saj bujqësisë shqiptare në përmirësimin e cilësisë së drithrave si dhe përmirësimin e racave dhe rritjen e prodhimit në blegtori.

Njoftimi ka ardhur nga Franca, ku ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti është duke zhvilluar një vizitë. Ai është takuar me homologun francez Le Foll me të cilin diskutuan për fuqizimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë.

Ministri Panariti e njohu homologun e tij me zhvillimet e bujqësisë shqiptare dhe duke ju referuar përvojës franceze lidhur me cilësinë e dritheëave ,miellit dhe prodhimeve të brumit i kërkoi ministrit francez transferimin e kësaj përvoje dhe standardeve në Shqipëri.

Në këte takim, u ra dakord për angazhimin e Francës, e cila do të ndihmojë Shqipërinë në përmirësimin e cilësisë së miellit dhe të bukës. Përmirësimi i racave dhe rritja e prodhimit në blegtori është një tjetër prioritet bashkëpunimi, i cili u vendos gjatë takimit të dy ministrave të bujqësisë. Dy ministrat ranë dakord për forcimin dhe modernizimin e qendrës së transferimit të teknologjive bujqësore në Korçë. Kjo qendër do të kthehet në qendër elitë për mbarështimin dhe shpërndarjen e racave të përmirësuara blegtorale.

Një vëmendje të veçantë dy ministrat i kushtuan krijimit dhe forcimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor. Ministri Le Foll propozoi transferimin e përvojës franceze në këtë drejtim. Dy ministrat morën pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare “Bujqësia dhe ndryshimet klimatike”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb