Për të shkuar në kinema, në muze ose në institucione sportive, francezët tani duhet të paraqesin prova të vaksinimit ose një test negativ COVID-19, ndërsa numri i rasteve është rritur me 140% brenda një javë.

“Kemi hyrë në valën e katërt”, tha kryeministri Jean Castex, duke nisur “një sfidë kolektive” për francezët, në mënyrë që “të arrijmë tetë milionë doza vaksinash” të administruara në dy javët e ardhshme.

“Është një objektiv shumë ambicioz, që do të tregojë se e kemi kuptuar peshën e situatës”, shtoi ai në TF1, duke theksuar se 96% e 18 000 personave të infektuar të identifikuar të martën nuk ishin vaksinuar.

Rreth 56,6% e popullsisë franceze ka marrë të paktën një dozë vaksine, kurse 46,4% është plotësisht e vaksinuar, sipas shifrave të fundit zyrtare të publikuara dje.

Ndërsa maska ​​në mjediset e jashtme po rikthehet në disa zona turistike, kryeministri njoftoi zbatimin e paraqitjes së pasaportës shëndetësore në vendet e kohës së lirë dhe kulturës, ku ka më shumë se 50 pjesëmarrës (kundrejt 1 000 më parë).

“Do të jepet një tolerancë prej një jave për të informuar dhe, më pas, do të vijë koha për sanksione”, paralajmëroi Castex.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb