PARIS – Rreth 5 mijë policë francezë do të angazhohen për të mbrojtur shkollat hebreje, pas sulmit të militantëve islamikë kundër një supermarketi hebre në Paris, javën e kaluar. Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazenëvë bëri të ditur se rreth 10 mijë trupa do të mobilizohen për të ruajtur pikat kyçe në mbarë vendin.
Masat kundër terrorizmit janë në qendër të takimit që u organizua sot në Paris nga presidenti francez Fransua Hollande dhe kabineti qeveritar. Një nga pikëpyetjet më të mëdha që del dhe kërkon përgjigje, është sesi mundën militantet, të cilët ishin të njohur për autoritetet e sigurisë franceze, të kryenin sulme terroriste në kryeqytetin e këtij vendi.
Ndërkohë në Londër, kryeministri David Cameron konsultohet me zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe sigurisë së Britanisë së Madhe, për t’iu përgjigjur ndonjë sulmi të ngjashëm me ato të Francës. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, thotë se në samitin e ardhshëm të BE-së, do të diskutohet për përpjekjet kundër terrorizmit. Ndërkohë televizioni Izraelit ka raportuar se Vatikani do të jetë në shënjestër të sulmeve terroriste të militanteve të Shtetit Islamik. Shërbimet sekrete italiane nuk e përjashtojnë mundësinë që Vatikani të jetë objektiv i terroristëve, por aktualisht nuk ka asnjë sinjal konkret.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: