NGA SPARTAK KOKA*

TIRANË- 49-vjeçari Francesco Beccheti është shpallur në kërkim që prej ditës së djeshme me kartelë të kuqe, pasi Prokuroria e Tiranës, ditën e djeshme ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e Vendimit penal nr. 1546 dt. 05.06.2015 të Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Beccheti akuzohet nga prokuroria për konsumin e elementeve të veprave penale. “Mospagim taksash”, “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim, të kryer më shumë se njëherë.

Sipas burimeve nga policia e shtetit dhe Prokuroria bëhet me dije se Francesco Beccheti që prej 4 muajsh e gjysmë nuk ndodhet në Shqipëri. Po sipas të njëjtave burime 49-vjeçari pronar i AgonSet ka dalë nga Shqipëria më datë 24 janar të vitit 2015 dhe ende është e paqartë vendndodhja e tij.

Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës gjigande pastrimi parash shtetasin italian Francesco Beccheti, i cili në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncesionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri. Sipas hetimit, koncesionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchetit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti. Nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi i Prokurorisë, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb