Demokracia e Re, partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis do të kandidojë zyrtarisht Fredi Belerin për të qenë eurodeputet.

Beleri vetë e priti mirë kandidimin, duke u shprehur falënderues ndaj kreut të qeverisë greke, por brenda partisë në pushtet ka pasur edhe kritika ndaj kësaj kandidature.

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek, Aleksandra Papadhopoulou janë shprehur kundër kandidimit të Belerit duke thënë se vendosja e tij në listën për eurodeputetë do ta kthente këtë çështje nga europiane në dypalëshe me Shqipërinë.

Gerapetritis ka deklaruar edhe më herët se rasti i Fredi Belerit, i cili u dënua me dy vjet burg për blerje votash, duhet të shihet si një shqetësim evropian dhe jo një çështje dypalëshe midis dy fqinjëve ballkanikë.

“Kjo nuk është një çështje dypalëshe. Nëse një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian mbështet parimet e shtetit ligjor dhe respekton të drejtat politike të qytetarëve të tij, nuk është dypalëshe. Është një çështje evropiane dhe ne duhet ta perceptojmë si të tillë dhe ta nxjerrim në pah në të gjitha forumet”, ka deklaruar ai në muajin mars.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb